Përurohet "One stop shop", Basha: Klimë më e mirë për biznesin
Kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka përuruar sot qendrën “One Stop Shop”. Në fjalën e tij kryebashkiaku Basha ka theksuar se me këtë qendër shënohet edhe një tjetër hap në përmirësimin e klimës për biznesin në Tiranë.
“Qeverisja e mirë nxit investimet, i bën më të sigurta dhe ofron klimën e favorshme. Me qeverisjen qëndrore jemi angazhuar për të ulur barrierat fiskale, eliminuam mbi 60 tarifa, sot përurojmë për këtë qëllim shërbimin më të fundit me një ndalesë në Tiranë, qendrën e licencimit në Tiranë” theksoi Basha.
Sipas tij, duke nisur nga sot do të jetë më e lehtë për marrje licence apo leje për aktivitetin. “Në shtator 2011 në bashkëpunim me IFC nisëm punën për reformën e thellë të licencimit, reduktimin e barrierave administrative, uljen e kostos në licencim dhe zvogëlimin e hapësirës për korrupsion. Ofrimi i shërbimit me një ndalesë bën të mundur që të gjitha shërbimet bashkiake ofrohen në një sportel të vetëm, në funksion gjatë gjithë javës” shtoi më tej ai.
Sipas kryebashkiakut Basha me këtë qendër regjistrimi do të thjeshtojë koston e shërbimeve, kohën për të regjistruar një biznes dhe për të bërë ndryshime informacioni. "Procesi i regjistrimit në këtë qendër do të reduktoj dukshën koston e shërbimeve që ofron bashkia. Procedurat për marrjen e lejeve dhe licensave do të zgjasin nga 7-10 ditë” ka theksuar Basha ndërsa ka shtuar se gjatë kësaj vere do të jetë gati edhe plani urbansitik.