Artisti padit Ministrinë e Mbrojtjes, krijoi medaljet por nuk u shpërblye
Tiranë- Artisti Kujtim Hoxha pretendon se Ministria e Mbrojtjes, MM, nuk e shpërblyer për një album medaljesh të realizuara prej tij e për këtë arsye ka zgjedhur ti drejtohet Gjykatës së Tiranës për drejtësi.
Zoti Hoxha kërkon nga gjykata që MM ta shpërblejë në bazë të kontratës Nr.2257, dt.20.05.2004 dhe për dëmin e krijuar nga të drejtat vetjake pasurore dhe jopasurore të autorit në vlerën prej 588.000 lekë për secilën vepër të krijuar, gjithsej 17 të tilla.
Dy raundet e para përgatitore janë shtyrë për shkak ose me kërkesë të gjykatës. Seanca e parë e datës 02.11.2011 u shty për mungesë të trupit gjykues, pasi në të njëjtën ditë gjyqtarja Elona Gjoka dhe sekretarja gjyqësore Valtida Ribaj nuk ndodheshin në punë për arsye shëndetësore.
Më 19.12.2011 seanca shtyhet me detyrë të lënë nga vetë gjykata, pasi vendosi ti lërë detyrë palës paditëse të rregullojë bazën ligjore të kërkesë padisë e po të njëjtin fat pëson ajo e datës 14.02.2012 por kësaj here me kërkesë të Zotit Hoxha.
Ndërsa do të ishte pikërisht data 06.03.2012 kur çështja do merrte verdiktin për të kaluar në seancë gjyqësore. Beteja de jure nis me 19.04.2012 por de facto gjykimi i zhvilluar me një gjyqtar në zyrën e Zonjës Gjoka shtyhet sepse kësaj herë mungoi përfaqësuesi i Avokaturës së Shtetit, pasi ishte sëmurë.
Pjesë nga seanca e datës 21.05.2012:
MM: Paditesi pretendon që ka dal fitues i konkursit për 17 punime, ndërkohe që në procesverbalin e mbajtur për fituesin, ai ka dal fitues vetëm me 2 punime. Si e provon paditësi që ka qënë fitues për 17 punime?
Avokati: Është marrë vendimi nr.2257 date 31.05.2004, ku janë miratuar të gjjtha punimet e kryera nga paditësi.
MM: Si shpjegohet nga paditësi që momenti i lidhjes se kontratës objekt gjykimi është data 20.05.2004, ndërkohë që konkursi për përzgjedhjen e fituesit është zhvilluar me datë 31.05.2004?
Avokati: Objekti i kontratës thotë qartë “Konceptim artisti”, pra paditësi akoma nuk kishte konceptuar asgjë, pra ky objekt nuk të le aspak të dyshosh që është një kontratë e lidhur.
MM: Na duhet të themi se kemi të bëjmë me një kontratë fiktive, të lidhur më parë se të përzgjidhej personi me të cilin do te realizohej objekti i kontratës.
Avokati: Paditësi ka prezantuar punimet, është bërë fitimi dhe me pas është lidhur kontrata.
MM: Paditesi nuk ka asnjë kontrate tjetër pas daljes fitues, përveç kontratës së datës 20.05.2004.
Avokati: MM ka njoftuar se i nevojiten 17 medalje dhe ka organizaur nje konkurs për këtë gjë. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë edhe shumë persona të tjerë. Me secilin prej tyre është lidhur një kontrate ku secili do te modulonte 17 modele medaljesh.
Sipas avokatit, Hoxha ishte i përgatitur për këto lloj modelesh sepse pala e paditur i ka thënë më përpara për këto modele, me pas ky album është miratuar me vendimin e tyre dhe vendimin e Këshillit të Ministrave.
Pikat kryesore ku bazohet pretendimi i artistit janë shpenzimet e mëdha financiare në lidhje me prodhimin e këtyre medaljeve.
Gjykata në këto kushte vendosi të pranojë kërkesën e Zotit Hoxha për caktimin e një grupi ekspertesh me specialiste të numizmatikës dhe specialist piktor ekspert dhe skulptor. U vendos ti kërkohej Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve specialistë të numizmatikës dhe Universitetit të Artëve” Tiranë ti kërkoheshin piktorë dhe skulptorë.
Më 05.06.2012 gjyqi shtyhet për të përsëritur shkresat për caktimin e specialistëve të numizmatikes dhe specialisteve pasi deri në atë moment as Ministria dhe as Universiteti i Artëve skishin reaguar për shkresën e mbërritur në dyert e tyre.
Sakaq seanca e datës 11.07.2012, shtyhet për të përsëritur njofimet e gjykatës pasi Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë sqaroi se nuk ka specialistë të tillë. Sa i takon “Universitetit të Artëve”, ata vijuan të heshtnin. Dhe u vendos që të përsëriten kërkesa për ekspertë të numizmatikës duke iu drejtuar Qendrës së Studimeve Albanologjike si dhe të përsëritej shkresa për “Universitetin e Arteve”, për piktor dhe skulptor.
Kanë kaluar 322 ditë dhe artisti ska gjetur asnjë drejtësi për pronësinë e tij intelektuale teksa gjyqtare Elona Gjoka dhe stafi i saj e kanë shtyrë çëshjen për në mes të vjeshtës, më 03.10.2012 ora 10:30.
