Përvetësoi 100 mijë euro duke premtuar se do të ndërhynte te Kadastra, arrestohet 58-vjeçarja

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Një 58-vjeçare është arrestuar dhe bashkëpunëtorja e saj është venë nën hetim, pasi dyshohen se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore dhe duke i pajisur me dokumente false.
Policia e Tiranës njoftoi sot se si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çështjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe.
Sipas policisë, këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
/m.q/a.f/r.e/