E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr i përmasave të mëdha në Fier-Levan, evakuohen disa familje

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të Fierit.

Sipas medieve, zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët janë afruar edhe pranë dy lokaleve në zonën e Qafës së Koshovicës, në anën lindore të Radostinës.

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe tymit të dendur, është bllokuar qarkullimi në linjën hekurudhore Fier-Vlorë. Gjithashtu, disa familje që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga flakët janë evakuar për arsye sigurie, pasi tymi ka mbuluar banesat.

Në terren ndodhen tetë mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta të emergjencave civile, të cilat po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e vatrës së zjarrit.

Për përballimin e situatës është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri, ndërsa pritet mbërritja e një helikopteri për t’iu bashkuar operacionit të forcave zjarrfikëse.

Autoritetet vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll të zjarrit dhe mbrojtjen e banesave dhe bizneseve pranë zonës së përfshirë nga flakët.

Pamje nga situata e zjarrit në Fier-Levan 1 nga 4

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›