Përplasja mes dy biznesmenëve në Vlorë, Lamallari: Policia reagoi menjëherë

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, reaguan sot nga Kukësi lidhur me përplasjen mes dy biznesmenëve në Vlorë, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.
Në një prononcim për mediet, Lamallari vlerësoi reagimin e Policisë së Shtetit, duke theksuar se ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe se aktualisht vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas Lamallarit, menjëherë pas ngjarjes janë arrestuar disa persona, ndërsa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
“Sa i përket Policisë së Shtetit, pra pa hyrë në çështjet operacionale që i takojnë Policisë së Shtetit dhe ministri është funksionar politik dhe është tërësisht i zhveshur nga detajet operacionale, ajo çfarë do të doja të thoja me bindje është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore dhe pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do gjenden dhe do vihen përpara drejtësisë”, tha ai.
Ministri theksoi se Policia e Shtetit po bashkëpunon me organet e drejtësisë dhe është në dispozicion të udhëzimeve të prokurorit të çështjes, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave të përfshirë.
“Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe gjithë udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe patjetër vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situate”, tha ministri.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha se forcat policore u angazhuan menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen.
“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje ku, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore dhe u bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë”, deklaroi Hita.
Ai bëri të ditur se hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe se veprimet procedurale po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë.
“Është një ngjarje që vërtetë ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.
/m.q/a.f/r.e/