E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i sopranos Nina Mula, festë në Opera

24/11/2011  Një paradite festive ka qenë ajo e djeshmja në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me rastin e 80-vjetorit të lindjes së sopranos Nina Mula. Ekspoze, kujtime, përshëndetje, interpretime etj., janë sjellë në këtë ceremoni festive. Nina Mula (Odjankova)- këngëtare shqiptare (soprano) me origjinë ruse është lindur më 23 nëntor 1931 në Izhevski, Rusi. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e lindjes në 1950 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P.I.Tchaikovsky” në Moskë në vitin 1950- 1955. Më pas kryen edhe një kualifikim pasuniversitar pranë Konservatorit të Moskës. Pas mbarimit të kursit, në vitin 1957, vjen në Shqipëri dhe emërohet soliste pranë TOB në Tiranë. Në këtë institucion vazhdon të punojë deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Njëkohësisht, që në vitin 1965, punon si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, në klasën e saj janë diplomuar më shumë se 33 studentë, të cilët luajnë një rol aktiv jo vetëm në jetën muzikore shqiptare, por edhe në atë botërore si: I. Mula, E. Paruca etj. Gjatë aktivitetit të saj në TOB, Nina Mula ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë, si dhe nga literatura botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni, etj. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët mund të përmendim: Urdhrin Maim Frashëri të klasit të II (1970), titullin Artiste e Merituar, (1975), çmimin e Parë në Festivalin e Romancës dhe mjaft çmime në koncertet e Majit, si dhe titullin Mjeshtër i Madh i Punës (2001). Disa nga rolet e realizuara prej saj janë: Rosina , opera “Il Barbiere di Seviglia”- 1958, Norina në operën “Don Pasquale” -1959, Drita në opera “Pranvera”- 1960, Tatjana në operën “Eugenji Onjegin”- 1961, Olimbia në operën “Lulja e |Kujtimit”- 1961, Suzana në operën “Le nozze di Figaro”- 1962, Michaela në operën “Carmen”- 1962, Leila në operën “Peshkatarët e Perlave”- 1964, Violeta në operën “La Traviata”- 1964 dhe 1972, Neda në operën “Pagliaçi”- 1964, Borëbardha në operën “Borëbardha”- 1964, Gilda në operën “Rigoletto”- 1964, Mrika në operën “Mrika”- 1959, 1966; Mimi në operën “La Boheme”- 1971, Donika në operën “Skënderbeu”- 1968 etj. Me orkestrën e TOB më 1972 ka interpretuar “Simfonia e nëntë” të L. van Bethoven.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›