E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, në një vit 354 të vdekur dhe mijëra të gjymtuar

23/11/2011  Ndihma e shpejtë, 27 % e të plagosurve rëndë humbin jetën gjatë transportit

Vetëm 4 % e të aksidentuarve transportohen në spital me mjete të specializuara

Aksidentet rrugore po bëhen gjithnjë e më problematike, pasi po ndikojnë ndjeshëm në rritjen e nivelit të vdekshmërisë së shkaktuar prej tyre. Shifrat e raportuara nga dikasteret shëndetësore tregojnë se mbi 354 persona humbasin jetën çdo vit si pasojë e aksidenteve rrugore, ndërkohë që mijëra të tjera mbeten të gjymtuar (1540 persona të plagosur). Situata alarmuese ka mbledhur në një tryezë diskutimi për marrjen e masave parandaluese ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), si dhe ekspertë të dikastereve të policë e institucioneve të tjera përgjegjëse. Dhënia e ndihmës së shpejtë jo në mënyrën e duhur, si dhe mungesa e mjeteve të specializuara në transportimin e të aksidentuarve ka ndikuar në shtimin e viktimave të aksidenteve. Sipas të dhënave, raportohet se vetëm 4 për qind e të aksidentuarve transportohen në spital me mjete të specializuara, ndërsa pjesa tjetër dërgohet atje me mjete të rastit. Kjo gjë, sipas autoriteteve shëndetësore, e rrezikon shumë jetën e të aksidentuarit. Kështu rreth 96 për qind viktimave të aksidenteve rrugore dërgohen në spital nga njerëz të rastësishëm, duke bërë që 27 për qind e të plagosurve rëndë të humbin jetën gjatë transportit, ndërsa numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore në tetë vitet e fundit është rritur me 30 për qind më shumë. Kundrejt kësaj situate shqetësuese, në tryezën e zhvilluar dje me temë “Dekada e sigurisë rrugore 2011-2020”, iniciativë e OBSH-së, u është bërë sërish apel qytetarëve që në raste të tilla të njoftojnë urgjencën mjekësore. Kreu i shëndetësisë, Petrit Vasili, ka pohuar se këto aksidente mbartin edhe një kosto të madhe për shëndetësinë shqiptare, pasi vlera e dëmit llogaritet në 106 milionë euro humbje në vit. Pjesë e planit të masave parandaluese që do merren janë renditur: zbatimi i strategjisë kombëtare përmes edukimit, masave inxhinierike, zbatimit të ligjit, përdorimit të shërbimit të urgjencës për ndihmën e shpejtë etj.

Situata/ ndërhyrja

Vdekshmëria nga aksidentet rrugore ka rritje me 30 për qind krahasuar me vitet e mëparshme. Shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH tregojnë se aksidentet kanë prekur më shumë shtresat e varfra, teksa 76 për qind e të aksidentuarve janë fëmijë ose të moshuar. Ndërhyrja do të konsistojë në fusha si zhvillimi dhe zbatimi i legjislacionit që lidhet me faktorët e riskut, si: kufizimin e shpejtësisë, pakësimin e ngarjes së makinës i dehur, shtimin e përdorimit të rripave të sigurisë, vendosjen e sigurt të fëmijëve në makina dhe vendosjen e helmetave në motoçiklistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›