E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzihet Vushtrria

Isa Sadriu i ka rënë në fije se cili është fajtori që e ka zhytur Llamkos Kosovën në krizë të thellë të rezultateve. Trajneri i njohur vushtrrias është i bindur se numri i madh i lojtarëve të transferuar në Vushtrri prej qyteteve të tjera, është faktori kryesor që e ka fundosur në krizë ekipin bardhekaltër. Sipas tij, kryesia e re gaboi që u përforcua me tetë lojtarë të ‘huaj’, gjë që ky klub nuk e ka bërë asnjëherë më parë.

Llamkos Kosova u rikthye në Superligë prej Ligës së Parë me një entuziazëm të madh, ngase i kishte bërë disa përforcime interesante, falë një sponsori serioz.

Mirëpo, klubi vushtrrias po i zhgënjen me të madhe tifozët e zjarrtë të saj ‘Forcën’, në këtë fillim të kampionatit. Kjo pasi prej nëntë ndeshjeve të zhvilluara, bardhekaltrit e kanë shënuar vetëm një fitore, krahas tri barazimeve e pesë humbjeve, andaj aktualisht e zë vendin e parafundit në tabelë me vetëm 6 pikë.

Të gjithë prisnin më shumë nga Llamkos Kosova, andaj mbetet ‘mister’ fajtori që e ka futur në krizë të thellë këtë ekip. Por, trajneri Isa Sadriu pretendon se e di fajtorin.

Ai është vushtrrias dhe një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka kaluar pikërisht në këtë klub. Thjesht, Sadriu e njeh jashtëzakonisht mirë mentalitetin e futbollit vushtrrias.

Sipas tij, kryesia e klubit ka gabuar që Llamkos Kosovën sivjet e përforcoi me një numër të madh të lojtarëve që nuk janë nga Vushtrria, por nga qytete të tjera të Kosovës. Ai kujton se një gjë të tillë ish-Kosova e Vushtrrisë nuk e ka bërë asnjëherë në të kaluarën.

Sadriu kujton se ky ekip tradicionalisht në radhët e veta thuajse tërësisht ka pasur lojtarë vetëm nga rrethi i Vushtrrisë, derisa tani gati gjysma e ekipit përbëhet me futbollistë të ardhur prej vendeve të tjera të Kosovës, për të cilët thotë se nuk kanë ndjenja për fanellën e këtij ekipi, siç kanë vetë vushtrriasit.

“Katër lojtarë të ‘huaj’, është numri më i madh që i ka pasur pasur ndonjëherë skuadra në radhët e veta. Pra, mund t’i numërosh me gishta lojtarët e ‘huaj’ që kanë luajtur në këtë ekip”, thotë ai.

“Kurse, tani numri i lojtarëve të ‘huaj’ është shumë i madh, është bërë një përzierje e madhe. Skuadra nuk ka pasur nevojë për asi lojtarësh, ngase Vushtrria ka futbollistë për tri ekipe të forta. Çdo ekip kosovar në radhët e veta ka nga disa lojtarë kyçë nga Vushtrria. Ata është dashur të kthehen në ekip. Kjo pasi futbollistët e tjerë nuk ia dalin të përshtaten në mentalitetin vushtrrias, siç bëjnë vendorët. Lojtarët vendorë ia dilnin gjithmonë ta nxirrnin shpejt ekipin nga krizat, që e kaplonin herë pas here. Një gjë të tillë e kanë të pamundur ta bëjnë të tjerët”, shtoi Sadriu.

Ai shpreson që kryesia e re e klubit shpejt do ta ndërpresë këtë politikë. “Drejtori Ismet Munishi nuk e ka njohur mirë mentalitetin e futbollit vushtrrias. Por tashmë më duket se e ka mësuar, dhe unë jam shumë i bindur se porsa të përfundojë pjesa e parë e kampionatit, Ismet Munishi me kolegët e tij do ta ndërpresë këtë politikë, dhe do të aplikojnë politikë siç e duan Vushtrria”, përfundoi ai.

Aktualisht, në ekipin vushtrrias luajnë shtatë-tetë futbollistë prej rajoneve të tjera të Kosovës, siç janë: Alban Bellopoja, Alban Dragusha, Arbër Prekazi, Ylli Prekopuca, Faton Zejnullahu, Labinot Jetullahu, Alban Mavriqi etj – të gjithë të transferuar gjatë verës që lamë pas. Kaq shumë lojtarë jovushtrrias, ky ekip nuk i ka pasur në radhët e veta asnjëherë më parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›