Ujkani po përmirësohet

Samir Ujkani po bind dita ditës me paraqitjet e tij në Serie A. Portieri kosovar ishte më i miri për ekipin e tij, Palermo, në barazimin 1:1 ndaj Genoas, të shtunën mbrëma. Përfaqësuesi shqiptar ndihet i lumtur me formën të cilën e gëzon, por beson se mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.
“Mendoj se pritja më e mirë e imja ishte ajo ndaj gjuajtjes me kokë të Immobiles. Jam i kënaqur, skuadra është për mirësuar dhe këtë e demonstruam edhe sonte ndaj Genoas”, theksoi fillimisht Ujkani pas ndeshjes për ‘Mediaset Premium’.
“Tash kemi besim më të madh. Në futboll, si zakonisht, gjërat varen nga rezultatet. Mendoj se as më parë nuk kemi luajtur dobët dhe rezultatet nuk arrinin”, shtoi ai.
Ujkani, i cili i kaloi tri vjet si huazim në Novara, e pranon se nervozohet gjithmonë kur pëson gol. “Gjithmonë shpresoj të mos pësoj gol. Por, jam i lumtur për këtë pikë që e rrëmbyem në Genova. Edhe në nivelin personal, po përmirësohem. Për mua është e rëndësishme të punoj shumë dhe ta kem mundësinë që të zhvillohem. Në Palermo është vështirë të luash, por jam i lumtur, sepse po bëj progres”, shtoi ai.
Ish-portieri i Anderlechtit e ka lavdëruar edhe punën që po e bën trajneri Gian Piero Gasperini, që e mori ekipin në dorë në fillim të këtij sezoni. “Që kur ka ardhur trajneri i ri, skuadra është përmirësuar, jemi duke luajtur më mirë”, përfundoi Ujkani.
De Biasi: Ujkani eksplodues po përparon
Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi e ka duartrokitur portierin Samir Ujkani, i cili bëri pritje bravuroze në barazimin 1:1 ndaj Genoas. “Ujkani pati një paraqitje të mirë. Është një lojtar eksplodues, mjaft i fortë në mes të shtyllave, po bën punë të mirë në Palermo”, theksoi trajneri italian.
Galli: Ujkani i shkëlqyeshëm, por duhet të zhvillohet
Ish-portieri i Milanit dhe i përfaqësueses italiane, Giovanni Galli e ka komentuar paraqitjen e shkëlqyeshme të Samir Ujkanit, i cili ishte më i miri te Palermoja, në barazimin me Genoan. “Ujkani ishte mjaft i mirë. Pati intervenime të jashtëzakonshme, ishte i shkëlqyeshëm. Tash duhet të përfitojë nga mundësia që ia ka dhënë Palermoja për t’u zhvilluar, duke punuar ditë pas ditë. Çdo stërvitje duhet t’i shpërbejë për t’u përmirësuar”, theksoi Galli për uebfaqen Mediagol.it.