Varreza në Rudnicë, po ajo që ishte hapur më 2007-n
Varreza e zbuluar në Rudnicë, afër Rashkës (Serbi), ku dyshohet se gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve, është e njëjta me atë që ishte hapur më 2007-n dhe për të cilën autoritetet e Beogradit kishin deklaruar se është boshe. Atë kohë institucionet e Kosovë patën dyshuar se Beogradi kishte bërë lojë duke hapur disa metra larg vendit të dyshuar. Sidoqoftë, qeveria ende nuk ka asnjë informim zyrtar për gjetjen e kësaj varreze. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka thënë se pranimi i kësaj varreze dëshmon atë që Serbia ka informacionet për secilin shqiptar që është zhdukur në Kosovë. Manaj mendon se pranimi që në atë lokacion ndodhet varreza masive është rezultat i trysnisë së BE-së dhe EULEX-it dhe, sipas tij, kjo i kontribuon Serbisë për afrim me BE-në. Sipas fjalëve të tij, pala kosovare ka pasur informacion se atje janë të varrosur 250 deri 400 njerëz. Zëvendëskryeministri Manaj ka rikujtuar se pala kosovare ka njohuri edhe për një varr tjetër masiv afër Medvegjës, por hulumtimi dhe zbulimi i tij është çështje ekskluzive e shtetit serb. Lajmi për varrezën masive në Rudnicë afër Rashkës është bërë i ditur nga Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë. Ndërkohë, misioni europian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, ka pohuar të ketë ndihmuar në gjetjen e lokacionit ku pretendohet se ka varrezë masive, pa e konfirmuar një gjë të tillë për shkak të hetimeve.
#