E Diel, 1 Nëntor 2026

Britani, vazhdon kaosi për fatin e qeverisë së ardhshme

Brenda konservatorëve ka çarje të mëdha për vazhdimin e qëndrimit në pushtet

Vazhdon në Britaninë e Madhe situata e paqartë për fatin dhe partitë që do të formojnë koalicionin e ri qeveritar, por gjithsesi dje janë përvijuar disa hapa që mund të çojnë në një finalizim të shpejtë të këtij procesi. Sipas disa zyrtarëve të lartë të laburistëve, që zunë vendin e dytë në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, liberal-demokratët nuk kanë pranuar kushtet e tyre për një qeveri të përbashkët dhe ka shumë të ngjarë që ata të bashkohen me konservatorët e Cameron. Ndërkaq zyra e Kryeministrit Brown ka mohuar faktin se Kryeministri ka dhënë ndërkohë dorëheqjen dhe se që të gjitha zërat që dëgjohen në lidhje me këtë gjë deri më tani nuk janë gjë tjetër veçse spekulime. Ndërkaq brenda laburistëve, që në fakt i kanë humbur zgjedhjet, ka nisur të përvijohet një çarje e madhe. Ka zyrtarë të lartë të kësaj partie që e mohojnë faktin se po bëhen përpjekje për të qenë në pushtet, duke qenë se laburistët nuk kanë të drejtë që të formojnë qeveri me kushtet e reja. Sipas tyre, vazhdimi i qëndrimit në pushtet për laburistët është një peshë dhe barrë që bie mbi kurrizin e britanikëve të thjeshtë. Ndërkaq zyrtarisht dhe jozyrtarisht vazhdojnë bisedimet e liberal-demokratëve me të dyja partitë për të gjetur një kompromis në lidhje me krijimin e qeverisë së ardhshme, e cila nuk mund të formohet nga një parti e vetme për shkak se asnjëra nga partitë e mëdha nuk arriti që të fitonte shumicën e votave. Konservatorët e David Cameron-it, partia që i fitoi zgjedhjet, kanë gjashtë ditë që po përpiqen të bien në një mendje me liberal-demokratët për të gjetur pikat e përbashkëta të një bashkëpunimi të mundshëm qeveritar. Por nuk ka qenë e lehtë duke qenë se të dyja partitë kanë disa mosmarrëveshje në lidhje me disa çështje shumë kapitale. Kreu i liberal-demokratëve, Clegg ka kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në Britaninë e Madhe që aktualisht favorizon dy partitë më të mëdha dhe më të fuqishme të vendit. Konservatorët kryesisht janë kundër ndryshimeve të këtij tipi. Me gjithë mosmarrëveshjet me liberal-demokratët, konservatorët kanë deklaruar se do të bënin shumë lëshime për të lejuar formimin sa më të shpejtë të koalicionit qeveritar me partinë që zuri vendin e tretë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›