E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, Dhoma e Tregtisë: Masa për të shmangur krizën

Dhoma e Tregtisë në qytetin e Gjirokastrës bën apel për marrjen e masave për të shmangur efektet negative të krizës. Devolli: Qeveria të na ndihmojë në drejtim të legjislacionit fiskal. 

GJIROKASTER- Kriza ekonomike ka prekur kryesisht sektorin e fasonistëve dhe tw ndërtimit në qytetin jugor të Gjirokastrës.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë në këtë qytet Mustafa Devolli tregon se disa firma janë detyruar të bëjnë shkurtimin e fuqisë punëtore, ndërsa disa të tjera kanë pezulluar aktivitetin. “Kjo nuk do të thotë që duhet krijuar panik por duhen marrë masa nga vetë bizneset për të shmangur efektet negative të krizës. Qeveria duhet të japë ndihmesë në drejtim të legjislacionit fiskal”.

Sipas shifrave të dhëna nga Qendra Rajonale e Biznesit pak ditë më parë që nga muaji janar dhe deri tani kanë mbyllur veprimtarinë dhe janë çregjistruar 54 biznese të llojeve të ndryshme. Po nga kjo zyrë mësohet se shumica e këtyre bizneseve janë të sektorit të rrobaqepësive dhe të tregtimit të materialeve të ndërtimit. Mbyllja e veprimtarisë tregtare apo prodhuese e mjaft njësive në sektorin e ndërtimit, sipas vetë ndërtuesve është e lidhur me uljen e ndjeshme të ndërtimeve në këtë sektor apo edhe me blerjet e pakta të apartamenteve.
(s.g/ BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›