Pesë vjet mosrespektim!

Kushtetuta e Kosovës sot feston ditëlindjen e pestë, ndërsa ajo vazhdon të mos zbatohet në gjithë territorin e vendit. Janë komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe që vazhdojnë ta sfidojnë atë, ndërsa institucionet kosovare nuk kanë mundur ta shtrijnë autoritetin në rreth 20 për qind të territorit që juridikisht i mbulon Kushtetuta.
Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prillit, njohës të rrethanave kushtetuese dhe analistë politikë thonë se për këto vite të kushtetutshmërisë është bërë shumë pak në drejtim të formimit dhe aftësimit të organeve institucionale dhe në drejtim të zhvillimit shoqëror e ekonomik të vendit.
Presidentja Atifete Jahjaga tha se miratimi i Kushtetutës përmbledh gjithë sakrificën, punën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për liri, pavarësi dhe demokraci, duke trasuar rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të vendit.
“Në këtë pesëvjetor të miratimit të Kushtetutës, po kremtojmë historinë dhe trashëgiminë e vendit tonë që po ndërtohet si një shtet i së drejtës, me garancitë e plota për të gjithë dhe që siguron një të ardhme më të mirë”, tha ajo.
Gjithëpërfshirja, respektimi i ndërsjellë, demokratizimi dhe toleranca ndërmjet qytetarëve të Republikës së Kosovës, sipas saj, janë bazë e Kushtetutës dhe vlera të përgjithshme të shoqërisë sonë./Indeksonline/