E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë vjet pa Roshin

Janë mbushur plotë pesë vjet që kur aktori, Kadri Roshi, nuk jeton më. Miq e aktorë të skenës dhe kinemasë u takuan në hollin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, për të ndarë së bashku momentet e paharrura për artistin.

Rolet dhe batutat e ngulitura në kujtesën e çdo shqiptari e mbajnë Roshin ende gjallë, njësoj sikurse edhe për familjarët.

"Nja 100 vjet janë të pazëvendësueshme, por besoj se as pas 100 vjetësh nuk do të zëvendësohet. Ose më mirë të them, dhe kjo është dëshira ime, uroj që ai të zëvendësohet sa më shpejt", theksoi Kliti Roshi, i biri i aktorit.

Aktorja dhe pedagogia, Drita Pelingu, pohoi se, krahas kujtimeve në skenë e teatër, arti i Kadri Roshit duhet studiuar shumë më seriozisht.

"Interpretimi i Kadriut duhej të ishte studiuar, zbërthyer me kohë, ashtu që të nxirreshin përgjithësime shumë të vlefshme teorike për artin skenik shqiptar. Por, artistët e mëdhenj, si Kadri Roshi, nuk i trembeshin ballafaqimit të kritikës. Shembulli Kadri Roshit vlen të evidentohet, për të frymëzuar dhe nxitur zhvillimin e kritikës skenike, e cila në ditët e sotme është larg nga ajo e dikurshmja", kujtoi Pelingu.

Ndryshe, pas një sëmundjeje të gjatë, Kadri Roshi vdiq më 6 janar të vitit 2007, në moshën 83-vjeçare. Në karrierën e tij realizoi mbi 150 role në skenën e teatrit dhe kinemasë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›