E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanovic këmbëngul në '1244'

(E plotësuar) Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka thënë se ka pasur takim të rregullt me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, në Vjenë të Austrisë.

Stefanovic ka bërë të ditur se është biseduar për përfaqësimin rajonal të Prishtinës. Negociatat për këtë çështje janë një nga kushtet kryesore për vazhdimin e euro-integrimit të Serbisë.

“Janë bërë hapa të mëtejshëm. Ka disa opsione për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Natyrisht, Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara është e përfshirë në këto propozime. Mbetet të shihet”, ka thënë kreu i ekipit të Qeverisë së Serbisë.

Shteti serb këmbëngul që Kosova të përfaqësohet në nismat dhe forumet rajonale nën rezolutën 1244 të OKB-së, ndërkohë që autoritetet kosovare insistojnë në përfaqësimin e saj si shtet.

Stefanovic dhe Cooper takohen në Vjenë

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, ka takuar sot në Vjenë ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian në këto negociata, Robert Cooper.

Takimi thuhet të jetë zhvilluar në vazhdën e përgatitjeve për raundin e ardhshëm të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, temë kryesore ka qenë përfaqësimi rajonal i Kosovës dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Këto janë kushtet kryesore që Këshilli i Ministrave të BE-së të sjellë vendim pozitiv për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dialogu për çështje teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe është zhvilluar në disa raunde me ndërmjetësimin e BE-së. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›