Pesha e fjalëve në momentet vendimtare të Bashkimit Europian
Tashmë po luhet shumë me fjalët. Të gjithë po përpiqen të gjejnë ato më të përshtatshmet për një situatë të tillë. Një ndër liderët europianë që kërkon një lloj përmbajtje në frazat e thëna është padyshim kancelarja gjermane Angela Merkel. Kjo e fundit po kërkon që pikërisht fjalët dhe frazat të jenë të matura. “Europa gjendet në një fazë vendimtare dhe të gjithë duhet të maten me fjalët” - është shprehur kancelarja Merkel në një intervistë të saj dhënë televizionit gjerman Ard. Më tej kancelarja ka vënë përsëri theksin tek situata e vendit fqinj të Greqisë. Problemi më i mprehtë për Bashkimin Europian është gjithmonë vendi fqinj i Greqisë dhe Angela Merkel me këtë deklaratë duket se kërkon të ulë tonet e ndonjë partie gjermane e cila kërkon daljen e Greqisë nga zona euro. Natyrisht kancelarja çmon përpjekjet e qeverisë greke e cila sipas saj “po angazhohet shumë seriozisht” edhe pse, siç ka folur edhe me kryeministrin Samaras, ka ende shumë gjëra për të bërë. Por kancelarja nuk është ndalur vetëm në këto probleme por ka folur edhe për Bankën Qëndrore Europiane duke theksuar se BQE është e pavarur, por që në të njëjtën kohë “ka një mandat të kufizuar për të kontribuar në stabilitetin e valutës. Unë kam besim tani por edhe më përpara për faktin se vendimet e saj janë marrë sipas mandatit, dhe kështu ka thënë edhe Mario Dragi”. Ndërkaq kancelarja duhet të menaxhojë edhe një situatë tjetër po aq të rëndësishme që është ajo që po krijohet mes Austrisë dhe Gjermanisë për një reduktim të borxhit dhe për këtë zv/kancelari gjerman ka qenë i prerë. Në fakt kancelari austriak, Verner Faymann në një intervistë dhënë të përjavshmes Oesterreich kishte theksuar se “shikoj mundësi të mira për një respektim të marrëveshjes mes Athinës dhe Bashkimit Europian, nëse kjo do të garantohej do të isha në favor për një zgjatje të rikthimit të debisë për dy ose tre vjet. I takon ekspertëve që të vendosin për periudhën”. Ndoshta kancelari ka marrë shkas nga kriza dhe papunësia e vendit fqinj që ka arritur nivele të tilla saqë për vendin fqinj do të ishte e vështirë që në pak kohë të arrinte që të sistemonte gjithçka. Nga ana tjetër sipas analistëve europianë shqetësimi i kancelarit është se kriza e Eurozonës do të ishte shumë e rrezikshme për Austrinë sepse do të ulte në mënyrë drastike eksportet, do të rriste papunësinë dhe në të njëjtën kohë do të uleshin edhe pagat. Por në këtë rast dy vendet nuk kanë folur të njëjtën gjuhë. I menjëhershëm ka qenë reagimi gjerman. “Një zgjatje, qoftë për gjashtë muaj apo për dy vjet, për Greqinë, nuk është e mundshme” - ka deklaruar menjëherë zëvendësi i kancelares gjermane Philipp Roesler. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka shtuar nga ana e saj se për Greqinë “çdo ditë është e rëndësishme” dhe duhet që “të shtojë forcat dhe të respektojë angazhimet e saj”. Por nëse nga Gjermania kanë vënë theksin tek korrektësia dhe angazhimi grek në të njëjtën kohë kancelarja gjermane ka reaguar kundër zërave që janë pro daljes të Greqisë nga zona euro. “Kemi përgjegjësinë për njëri-tjetrin në Europë, (dhe Europa) nuk është vetën një bashkim monetar por edhe një bashkim politik”. Fjalë kanë qenë të qarta. Vetë kryeministri grek (gjatë takimit që pati me kancelaren Merkel) nuk ka arritur që të bindë kancelaren gjermane për t’i dhënë më tepër kohë. Greqia por edhe vetë Europa është në pritje të vendimit që do të marrë në muajin tetor Trojka e përbërë nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europine. Ndërkaq zërat për një dalje të Greqisë nga zona euro kanë të bëjnë edhe me opinionin publik gjerman i cili nuk ka shumë besim në daljen nga kriza të vendit fqinj të Greqisë. Një ndër gazetat më të rëndësishme gjermane e ka cilësuar si “një pus pa fund” dhe kjo e jep qartë frymën e mosbesimit. Natyrisht opinioni gjerman ka rëndësinë e tij edhe në lidhje me zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë mënyrë kancelarja nga njëra anë ka kërkuar qëndrimin e Greqisë në zonën euro ndërsa nga ana tjetër ka nënvizuar se vendi fqinj i Greqisë duhet të respektojë angazhimet e marra duke ndjekur porositë e Trojkës. Ndërkaq shumë zëra brenda koalicionit qeverisës në Gjermani kanë përdorur fjalë të ashpra. “Nuk duhet të vihen në dispozicion para të tjetra” - ka deklaruar Volker Kauder në një intervistë të tij në një kanal televiziv gjerman, duke shtuar se “as detajet dhe as përmbajtja e vendimeve të marra nuk mund të jenë objekt i negociatave. Edhe Rainer Bruederle, president i grupit parlamentar në një intervistë për radion Deutschlandfunk nuk pranon që të “ushqehet akoma një pus pa fund” sepse sipas tij Greqia është ndihmuar shumë dhe tashmë duhet të arrijnë edhe rezultatet e shumëpritura.
...