Kronika/Vizita e Papës në Liban inkurajon të krishterët të bashkëjetojnë me myslimanët
Megjithë atmosferën e tensionit në rritje, Libani vijon të përgatitet për vizitën e Papës, që do të jetë në këtë vend të trazuar nga 14 deri më 19 shtator. Për shpresat e bashkësisë së krishterë libaneze, imzot George Masri, ekonom i përgjithshëm i Patriarkanës siro-katolike në Liban, flet për Radio Vatikanin: “Presim shumë nga vizita e Atit të Shenjtë, sepse është ngjarje, që ngjall shpresë për mbarë Kishën, posaçërisht për ne, siro-katolikët, që jemi pakicë dhe e dëshmojmë fenë tonë me gjak. Jemi Kishë martirësh, por njëkohësisht edhe pakicë, që jeton me shpresë e besim në Jezu Krishtin. Është shumë e rëndësishme, vizita e Papës në Lindjen e Mesme, posaçërisht në një vend të vogël, si Libani. Ati i Shenjtë na jep shpresë, e edhe guxim për të jetuar me fqinjët tanë myslimanë, për t’i prirë dialogut të jetës së përditshme, sepse dialogu dogmatik nuk është aspak i lehtë; gjithsesi po bashkëjetojmë me popullsinë myslimane. Shpresojmë shumë në vizitën e Atit të Shenjtë e edhe po përgatitemi, të krishterë e myslimanë, për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Shpresojmë se dialogu ndërmjet nesh e vëllezërve myslimanë do të mbetet dialog i bashkëjetesës së vërtetë”. Lidhur me zhvillimet e fundit në Liban, pasojë e tensioneve politike dhe ndikimin që mund të kenë mbi vizitën e Atit të Shenjtë, imzot Masri thotë: “Për fat të keq, po i jetojmë këto ngjarje, por sigurisht nuk e cënojnë vizitën e Atit të Shenjtë, sepse kjo vizitë i jep shpresë shumicës së popullsisë libaneze dhe gjithë të krishterëve të Lindjes së Mesme: ne shpresojmë që pranvera arabe të jetë vërtet pranverë. Dialogu i mirëfilltë, që ne duhet të bëjmë me vëllezërit tanë myslimanë, është ai që lidhet me barazinë e të gjithë qytetarëve mbi bazën e nënshtetësisë e jo të përkatësisë fetare: jemi të gjithë Bij të Zotit, myslimanë e të krishterë. Shpresojmë se edhe perëndimi do ta ndihmojë këtë zonë, që të ndërtojë demokracinë e vërtetë. Besimi mysliman parashikon një regjim teokratik, jo demokratik; nëse dëshirojmë të kemi dialog të vërtetë me myslimanët, duhet ta bëjmë këtë mbi bazën e vlerave qytetare e jo mbi kritere fetare”.
Mitingu i Riminit - Teologu, atë Carbajosa: “Arsyeja është e fortë, kur nuk mbyllet në ideologji”/“Edukim, identitet, dialog” ishte tema e njërit nga takimet e shumta, mbajtur këto ditë në Mitingun e Riminit. Në takim foli edhe atë Ignacio Carbajosa, pedagog i Besëlidhjes së Vjetër në fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit të Shën Damazit, në Madrid. Për të hyrë më mirë në pafundësinë e Zbulesës, atë Ignacio, në një prononcim për Radio Vatikanin nënvizoi figurën e Abrahamit, në qendër të reflektimit të tij. “Zemra e fjalës sime niset nga situata e kulturës moderne, që flet praktikisht për zbulesën: e kam fjalën për fe, të cilat nisin nga një zbulesë, që nuk ka të bëjë fare me arsyen, madje në zanafillë të dhunës është pikërisht ndeshja ndërmjet një zbulese e tjetrës. Me që zbulesa nuk niset nga arsyeja, por është diçka e treguar, atëherë kemi të bëjmë me një kontrast, që lind dhunën. Dhuna lind, kur një zbulesë i kundërvihet tjetrës. Vjen, pastaj, kultura moderne, që këmbëngul se pika ku takohen uniteti e dialogu është pikërisht arsyeja, jo feja e na fton ta lëmë mënjanë fenë. Ndërsa unë, duke ndjekur këtë udhë, që është edhe biblike, u përpoqa të dëshmoj se në histori figura e Abrahamit, e përbashkët për krishterimin, hebraizmin e islamin, që niset nga zbulesa, e zgjeroi arsyen, e la pas idhujtarinë, për të ecur kah një Zot i vetëm, që krijoi Qiell e Tokë, gjë për të cilën ngul këmbë edhe Benedikti XVI. Është e pashoqe shembëlltyra historike, që bëri ky Papë. Në iluminizëm u duk sikur, më në fund, feja u la mënjanë e arsyeja nisi të sundonte, si i vetmi kriter. Por pas dy shekujsh, të karakterizuar nga një arsye e ligshtë, kjo që kemi sot, vjen një Papë, që fton të zgjerohet pikërisht arsyeja. Prej këndej, shihet qartë se feja ka qenë gjithnjë faktor vendimtar për t’i kujtuar njerëzimit se arsyeja nuk duhet lënë mënjanë, por duhet zgjeruar. Për këtë bën thirrje Benedikti XVI”. Lidhur me pyetjen në ç’kuptim thirrja e Abrahamit mund ta zgjerojë arsyen e njeriut, ta nxitë të shikojë realitetin në tërësi e jo të copëzuar, siç dëshiron relativizmi, ai përgjigjet: “Kjo lidhet shumë me temën e Mitingut: natyra e njeriut në lidhje me pafundësinë. Në se nuk do të ishte kjo pikë referimi, mbi të cilën ngul këmbë Papa, në se nuk do të ishte, pra, kjo pikë, që ka të bëjë me amshimin, i cili u bë histori e nisi edhe dialogun me njeriun, është tepër foshnjore – e historia e këtij shekulli e tregon më së miri - të mendosh se arsyeja mund të qëndrojë në këmbë vetvetiu. Jo, arsyeja e vetme – e pamë në vitet ‘900 - përfundon në dhunë, sepse e shikon në mënyrë të pjesshme realitetin; përfundon në detin e pozitivizmit, në të cilin njeriu fundet, mbytet. Po shtojmë – gjë që mund të ngjallë polemika - se kjo ndodh edhe me mungesën e fesë në Evropë, me dëbimin e faktorit fetar nga arsyeja. Arsyeja, e mbetur vetëm, çmendet e përfundon në një ideologji, që është vërtet - mund ta themi - e paarsyeshme. Arsye e mosarsyes. E kjo është arsyeja e nazizmit edhe e komunizmit”.