E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opinioni rus i ndarë për çështjen e grupit muzikor pank

27-08-2012 / Nga James Brooke (VOA)

Pamjet e maskave të shndritëshme të vajzave të grupit punk rus që protestuan me një lutje në një katedrale kundër Vladimir Putinit, kanë bërë xhiron e botës. Por si përjetohet në Rusi protesta e tyre dhe dënimi që iu dha gjykata? Videoja është shpërndarë anembanë botës, duke shfaqur përpara miliona shikuesve lutjen e grupit punk Pussy Riot kundër presidentit rus Vladimir Putin. Në Rusi, rusët janë të ndarë në mendimin e tyre për grupin punk. Nacionalistët konservatorë e mbështesin vendimin për dy vjet burg, i cili u dha të premten. Këta njerëz janë nga Miloserdie, një organizatë bamirëse e rusëve ortodoksë. “Më vjen keq por Krishtërim nuk do të thotë gjithmonë liri për të bërë çfarë të duash. Por mos u shqetësoni! Ne do t’iu çojmë ushqim atyre në qelitë e burgut”. Liya Smirnova drejton një organizat të të rinjve ortodoksë rusë. Ajo shpreson se gjyqi dhe vendimi i tij do të mbajnë protestat politike larg kishave. “Më kryesorja për ne, besimtarët e kishës ortodokse ruse, është që kjo lloj çmendurie mos të ndodhë në kishë përsëri”. Yana është mbështetëse e grupit Pussy Riot. Ajo ka vendosur maskën e skive e cila është simboli me të cilin njihet grupi kudo në botë. “Kam ardhur këtu të mbështes vajzat e grupit, jo vetëm sepse ato kanë qenë të burgosura gjithë këtë kohë, por sepse sistemi gjyqësor është i tmerrshëm. Unë e ndoqa ecurinë e gjyqit dhe ishte i tmerrshëm. Unë i mbështes ato si aktiviste dhe si artiste”.
Të hënën, policia shpërndau një grup njerëzish që kërcenin nën tingujt e muzikës së grupit Pussy Riot në qendër të Moskës. Autoritetet kanë njoftuar se po kërkojnë për dy gra të tjera që morën pjesë në lutjen punk, 6 muaj më parë. Alla, një tjerë mbështetëse e grupit foli për Zërin e Amerikës të premten, pak minuta mbasi policia futi me forcë në një furgon, shoqëruesin e saj. “Nuk ekziston ligji. Nuk ka ligj që të mbaj ato vajza në burg. Është e paligjshme, është e pamundur”. Miliarderi rus Alexander Lebedev beson se gjyqi ndaj vajzave të grupit Pussy Riot dhe udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny janë të urdhëruar nga Kremlini. “Unë e kuptova papritur nga rasti i Navalnyt, i cili ishte plotësisht i fabrikuar, njësoj si rasti i vajzave,  se kjo ishte me motive politike. Asgjë më tepër”. Zoti Lebedev thotë se zgjidhja për Rusinë është demokracia. “Duhet të funksionojnë pjesët e demokracisë që dihen tashmë: parlamenti, zgjedhjet, media e lirë, gjykata e pavarura, opozita si një autoritet i përhershëm dhe legal kushtetues në vend”. Por ky rus nuk do të jetë për shumë kohë në këtë vend. Pak ditë më parë ai njoftoi se do të shesë investimet e tij në Rusi dhe do të vendoset në Londër.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›