E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshëngritje: Shqipëria, kandidate e fortë për organizimin e botërorit

Altin Manallari

Presidenti i IWF-së premton një kupë Skënderbeu dhe Huniadi

Shqipëria u rendit e katërta në Europianin 2013 të Peshëngritjes në Tiranë me 1 medalje ari, 1 argjendi dhe 4 bronzi

Skënderbeu dhe Huniadi

Pas vizitës në kalanë e Krujës, presidenti i IWF-së, hungarezi Tamas Ajan, ka premtuar edhe zhvillimin e një kupe Skënderbeu dhe Huniadi, që do të zhvillohet një vit në Shqipëri dhe një vit në Hungari

Altin Manallari

Daniel Godelli medalje ari ne Europianin e Tiranes Një mbyllje entuziaste jo dhe aq për rezultatet e tanëve, por më shumë për mënyrën e organizimit, mund të konsiderohet ajo e Kampionatit Europian për të Rritur 2013, që u zhvillua në Tiranë nga 5-15 prill. Eventi kontinental ngjiti në pedanën e pallatit të sportit Asllan Rusi 192 konkurrentë nga 35 shtete pjesëmarrëse. Kombëtarja shqiptare e shtangës zuri vendin e katërt në këtë kampionat, i 92-i në gjithë historinë për të rritur dhe i 26-i për të rritura. Në përfundim të garës kontinentale, Shqipëria u nderua me një medalje ari, të fituar nga Daniel Godelli në peshën 69 kg në stilin e shtytjes, plus dy të bronzta në shkëputje e dygarësh dhe me tri medalje, një argjend në shkëputje e dy të bronzta në shtytje e dygarësh. Por përveç 6 medaljeve në total, që e renditën kombëtaren shqiptare në vendin e katërt, pas Rusisë kryesuese që ndiqet nga Bullgaria dhe Moldavia, ajo që ka bërë më shumë jehonë, duket se është medalja e artë morale që iu dha vendit tonë për organizimin thuajse perfekt të këtij eventi të madh ndërkombëtar.

peshengritje, europiani 2013 ne Tirane

Ky kampionat europian u konsiderua nga të gjithë drejtuesit më të lartë të këtij sporti në arenën ndërkombëtare si një sukses i vërtetë. Ky është vlerësimi i presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tamas Ajan, i cili nuk ngurroi të shtonte edhe se ishte diçka fantastike, të cilën nuk e kishte parë në asnjë vend tjetër. Unë erdha këtu për të ndjekur kampionatin dhe e vlerësoj jashtë mase shumë, sepse Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka organizuar këtë Europian në vetëm dy muaj, çka është absolutisht fantastike. As edhe një vend i vetëm nuk e ka organizuar dot një kampionat të këtyre përmasave në vetëm 2 muaj, prandaj dua të falënderoj të gjithë organizatorët dhe të gjithë ata që ndihmuan për këtë aktivitet, nga presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, deri te më i fundit. U organizua një aktivitet fantastik, një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë vend më parë. Është diçka e bukur dhe urime! Numri një i qeverisë së sportit të peshëngritjes në botë nuk ka lënë rast pa e treguar se ai ka mbetur i mrekulluar nga gjithçka ka parë me sy në Tiranë, që nga organizimi deri në detaje i garave deri edhe te tifozeria e zjarrtë apo edhe mikpritja shumë e përzemërt e shqiptarëve. Por në fund ai konfirmon atë që prej ditësh kishte filluar të flitej nëpër korridoret e Asllan Rusit, rritjen e kuotimit të Shqipërisë, e cila në një të ardhme të shpejtë të organizojë edhe një botëror të peshëngritjes në Tiranë. Unë uroj që, pas këtij Europiani të jashtëzakonshëm, të organizoni edhe një kampionat botëror të jashtëzakonshëm, për të cilin keni mbështetjen time të plotë, nënvizoi Ajan. Por presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), i cili është nga Hungaria, vendi i Janosh Huniadit, bashkëluftëtarit të njohur të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, mësohet se menjëherë pasi ka vizituar kalanë e Krujës gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ka premtuar madje edhe zhvillimin e një kupe Skënderbeu dhe Huniadi. Sipas tij, kjo kupë do të zhvillohet një vit në Shqipëri dhe një vit në Hungari.

Peshëngritje: Shqipëria, kandidate e fortë për organizimin e botërorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›