Peshkopi, KLSH mbyll për abuzime Qendrën e Edukimit
PESHKOPI/ ENVER DOÇI
Kontrolli i Lartë i Shtetit urdhëron mbylljen e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit në qytetin e Peshkopisë. Pas një kontrolli të ushtruar mbi veprimtarinë se kësaj qendre, nën juridiksionin e bashkisë, janë konstatuar shkelje financiare e ligjore. Megjithëse zyrtarët e bashkisë nuk pranojnë të prononcohen rreth këtij fakti, burime të sigurta informacioni sqarojnë, se mbyllja e qendrës është pritur me shqetësim nga banorët e shumtë të Peshkopisë, sidomos nga të rinjtë që frekuentonin internetin, sallat e veprimtarive rinore, kurset e gjuhëve të huaja, kafenetë, etj. Gjashtë ish-punonjës të kësaj qendre që e ka nisur veprimtarinë në vitet 2000 janë larguar nga puna, pa ua thënë shkaqet e vërteta të largimit. Mësohet se shkelja e parë ligjore, që është konstatuar është ajo se kreu i bordit të kësaj qendre ishte vetë kryetari i bashkisë Peshkopi, Ilir Krosi, ndërkohë që qendra nuk ka siguruar të ardhura për njësinë vendore, por ka funksionuar si një ndërmarrje me vetëfinancim. KLSH kishte marrë parasysh një informacion të banorëve të këtij qyteti, ku thuhej se në këtë qendër abuzohet me fondet që sigurohen nga qytetarët, të cilët për çdo shërbim paguanin të holla. Shërbimi më i preferuar për të rinjtë dibranë ishte ai i internetit, pasi në këtë qytet ky shërbim deri ditët e fundit nuk ekzistonte në rrugë të tjera përveç QEK-ut. Janë mbyllur më shumë se gjysma e mjediseve të Pallatit të Kulturës në Peshkopi dhe nuk lejohet të rihapen pa dhënë konkluzionet përfundimtare Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe pa mbërritur përfundimet mbi personat që janë akuzuar për shkelje ligjore. Lajmin e mbylljes së QEK-ut në Peshkopi e lakoi në tubimin politik të organizuar në këtë qytet edhe kryetari i opozitës Edi Rama. Teksa ai fliste për korrupsionin në rritje në të gjithë sektorët, nënvizoi se "për shkak të abuzimeve me paratë e qytetarëve Kontrollit i Lartë i Shtetit ka mbyllur më shumë se gjysmën e mjediseve të këtij institucioni ku ne jemi mbledhur". I pyetur rreth këtij fakti prefekti i Qarkut Dibër, Xhafer Seiti sqaroi se nuk ishte detyrë e drejtorisë së auditit, kontrolli i veprimtarisë së bashkisë. Kjo gjë sipas tij, tani i është besuar KLSH-së. "Ne, - tha prefekti, - nuk kemi dijeni rreth kontrollit të ushtruar dhe abuzimeve të mundshme. KLSH nuk informon prefektët për shkeljet e konstatuara në bashki e komuna". Pas mbylljes së kësaj qendre të rinjtë e qytetit të Peshkopisë, por edhe ata që vijnë nga zonat rurale gjatë ditëve të javës, nuk do të kenë mundësi të frekuentojnë internetin, gjuhët e huaja, sallat e aktiviteteve rinore, kafenetë etj. Ende nuk bëhet i ditur dëmi i shkaktuar dhe cilët janë personat përgjegjës, por dihet saktësisht se kjo qendër është mbyllur dhe nuk dihet kur do të rihapet. Kjo qendër dhe dy të tjera në Burrel e Bulqizë janë hapur fillimisht nën kujdesin e projektit danez "Danida". Në vitet e para është financuar nga ky projekt, duke paguar jo vetëm shërbimet, por edhe specialistët që kanë punuar në këto qendra. Pas 2-3 vitesh ato u janë besuar bashkive. Në Burrel kjo qendër falimentoi, ndërsa në Dibër e Bulqizë vazhdonin aktivitetin nën kujdesin e pushtetit vendor.