Rrëzohet kërkesa për ish-divizionin
SHKODER - Megjithëse ditë e diel, edhe pse institucionet shtetërore ishin të mbyllura, banorët e zonës tek ish-divizioni kanë protestuar gjatë gjithë paradites së djeshme nëpër rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës. Mbi 200 vetë kanë marrë pjesë në këtë protestë, e cila nuk është e para e këtyre banorëve. Protestuesit me pankarta në duar, ku kërkojnë legalizim të banesave të tyre u nisën dje nga shtëpitë në marshim drejt spitalit, nëpërmjet Piacës për në rrugën e Bashkisë, për t'u ndaluar para Prefekturës. Banorët kërkojnë që të anulohet vendimi i Bashkisë së Shkodrës për ndërtimin e pallateve të larta në atë zonë dhe të legalizohen shtëpitë e tyre tek ish-divizioni. Banorët e kësaj zone janë të ardhur në qytetin e Shkodrës nga zona rurale kryesisht pas vitit '91 dhe pas '98-ës. Ata kërkojnë të bëjnë legalizimin e shtëpive, ndërkohë që kjo kërkesë u është mohuar, pasi në vend të këtyre hapësirave do të ndërtohen pallate për të pastrehët. Vetëm 5 ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka hedhur poshtë pretendimin e banorëve dhe dënon veprimet e tyre fyese dhe kërcënuese. Gjykata bëri të ditur se kalimet e pronësisë, kthimet e pronësisë dhe kompensimet janë bërë sipas ligjeve në fuqi. Burimet zyrtare të saj pohuan se kur u dha vendimi, 40 persona bllokuan derën e gjykatës dhe kërcënuan me fjalë fyese dhe kërcënime për jetën, duke aluduar në dhënien e një vendimi të padrejtë e korruptues. r.d