E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzim pa ngjyrë

Edmond Tupja 

Mbaroi edhe "dyluftimi"  midis Barack Obama-s dhe John McCain-it. U gëzuan qeveri dhe popuj, parti dhe aleanca të natyrave të ndryshme, grupe individësh e individë të veçantë. U gëzuan për arsye nga më të larmishmet: racore apo ideologjike, politike apo shoqërore, të llogaritura apo të vetvetishme, parimore apo konjukturore. Me këtë rast, u bënë sondazhe e anketa në një numër jo të paktë vendesh lidhur me parapëlqimet e njerëzve. Kështu, për shembull, në tërësi, vendet e Bashkimit Europian ishin për Barack Obama-n; mjaft vende të kontinenteve të tjera gjithashtu. Po në Shqipëri, tek cili prej dy kandidatëve u kthyen sytë dhe zemrat?
Me sa munda të informohesha, mësova se në vendin tim, me rastin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, nuk u realizuan sondazhe apo anketa të mirëfillta e me baza shkencore për të përcaktuar se cilin prej të dy kandidatëve shqiptarët dëshironin ta shihnin në Shtëpinë e Bardhë pas largimit së andejmi të presidentit George W. Bush. Me sa kuptova ose, më saktë, me sa nuhata unë, shqiptarëve në përgjithësi dhe, në veçanti, partive të krejt spektrit politik shqiptar, u interesonte thjesht që SHBA të mos mbeteshin pa president. Kështu, gjatë fushatës së dy pretendentëve për Shtëpinë e Bardhë, ndryshe nga ç'mund të pritej, Partia Demokratike e Berishës, pra, një parti e djathtë, nuk shprehu haptas ndonjë parapëlqim për kandidatin republikan McCain, as Partia Socialiste e Ramës, pra, një parti e majtë, nuk shpalosi botërisht ndonjë parapëlqim për kandidatin demokrat Obama. Nga ana tjetër, pas fitores së Obama-s, si selia blu ashtu edhe ajo rozë nxituan të shprehnin gëzimin e tyre pa ndonjë ngjyrë të feksur entuziazmi për zgjedhjen - më në fund! - e një njeriu me ngjyrë në postin e presidentit të SHBA.
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar fakti objektiv se shqiptarët e lodhur nga shtrenjtimi i jetesës dhe dhjetëra probleme të tjera në vendin e tyre, nuk para bënë shumë tifozllëk për dy kandidatët, ndryshe nga ç'kishin vepruar kur George W. Bush-i do të merrte mandatin e tij të parë si president i SHBA (Sa për zbavitje: asokohe, një fshatar tiranas, që shiste perime në tregun e vogël pranë banesës sime, më kishte shprehur mbështetjen e vet pa rezerva për Bush-in, sepse shpresonte që, falë fitores së tij, do të arrinte t'i merrte paratë që kishte humbur tek njëra prej firmave piramidale!).
Gjithsesi, si krerët e forcave politike majtas e djathtas, ashtu edhe shqiptarët e thjeshtë, fare të thjeshtë, deri në anonimat, do të kenë kohë t'u tregojnë SHBA se e duan presidentin e tyre të dyzet e katërt, sidomos nëse ky i fundit një ditë të bukur vendos të vijë në Shqipëri, duke e mirëpritur e brohoritur ashtu si bënë për paraardhësin e tij George W. Bush.
Të vetmit shqiptarë, të paktën në Tiranë, të cilët dëshironin me gjithë zemër e me një entuziazëm aspak të vakët apo të shtirë që Barack Obama të zgjidhej president i SHBA, ishin banorët me ngjyrë të lagjes sime, Bërrakës së famshme; pikërisht tani që SHBA kanë më në fund një president me ngjyrë, ata e shpalosën haptas gëzimin e tyre makiato. Madje, Xim Çukullata, njëri prej përfaqësuesve të tyre më në zë, deklaroi solemnisht faqe bashkëngjyrasve të tij se Bërraka duhej të shpallej patjetër republikë autonome (tamam si Korça gjatë Luftës së Parë Botërore) para se t'i kërkonte OKB-së që të miratonte bashkimin e saj me SHBA qoftë si shtet më vete, qoftë si distrikt federal: në këtë mënyrë, flamurit të lavdishëm amerikan do t'i shtohej edhe një yll tjetër, i pesëdhjetë e njëti apo i pesëdhjetë e dyti. Atëherë ka për të parë Amerika një mrekulli të vërtetë: ylli i ri, ylli plot shkëlqim i Bërrakës shqiptare lëkurëzezë e zemërbardhë do t'u sjellë mbarësi gjithë amerikanëve, të bardhë e të zinj, lëkurëkuq e lëkurëverdhë! Good bless America! Zoti bekoftë Bërrakën! Amin!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›