Peshkopi serb, financues kryesor i lëvizjes ekstreme

Peshkopi Fillaret është njëri prej financuesve kryesorë dhe këshilltar i lëvizjes së quajtur “Dveri”, e cila në zgjedhjet e fundit është paraqitur edhe si parti politike. Në saje të kontakteve të tij, Fillaret në vitin 2011 e ka lidhur këtë lëvizje ekstremiste me bankën e quajtur “Srpska banka” për t’iu mundësuar gjetjen e parave për zgjedhjet e asokohshme, thuhet në dokumentin për këtë peshkop të hartuar nga shërbimet serbe të sigurisë.
“Në prag të mbajtjes së Parakalimit të homoseksualëve në Beograd, ky peshkop i ka sugjeruar kreut të lëvizjes Dveri që të bëjë një shpallje të cilën do ta paguajë Kisha Ortodokse Serbe dhe që do të distribuohet pa pagesë më 6 dhe 7 tetor të vitit 2011.
Sipas pohimeve të shërbimeve serbe të sigurisë, në tetor 2011, kreu i lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviq, bashkë me aktivistët e kësaj lëvizje nga Leposaviqi (në Kosovë) ka biseduar me ambasadorin e derivonshëm të Rusisë në Serbi, Aleksandar Konuzin, i cili pati qëndruar në Mileshevë.
Pos lidhjes me ambasadorin rus, ky peshkop përmendet edhe për lidhjen me ambasadorin serb në Moskë, Sllavenko Terziq, që njihet si nacional-shovenist i madh, kurse ka pasur akuza nga përfaqësuesit e diasporës serbe se mallrat nga donacionet për serbët e Bosnjës ia ka shitur kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjës, si dhe për malverzime të tjera.
Zgjedhje e tij për peshkop në vitin 1999 ishte penguar me një letër anonime, në të cilën thuhej se ai e ka marrë diplomën “dhuratë”, kurse zgjedhja e tij u bë pas vetëm tri tentimesh.
Në vargun e akuzave të shumta për malverzime dhe veprime të padenja për një peshkop është edhe ajo e refugjatëve serbë nga Kroacia, të cilët e kanë akuzuar se bashkë me kriminelin e dëshmuar Zhelko Razhnatoviq Arkan dhe me ish kolonelin Mihailo Ulemek ka marrë pjesë në likuidimin e qytetarëve kroatë në Erdut në vitin 1991, gjatë konfliktit me Kroacinë.
Dosja e tij përmban edhe shumë akuza të tjera për pjesëmarrje dhe lidhje me individë të dyshimtë për krime të luftës./Indeksonline/