E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshqit, "fuqia" e detit në tavolinë

Edhe pse është një nga ushqimet më të rëndësishme të dietës mesdhetare, fatkeqësisht peshku nuk është pjesë e dietës sonë ushqimore, që do të mund ta bënte një aleat të çmuar për shëndetin. Studimi më i fundit vjen nga "Harvard Medical School" në Boston, ku sapo ka përfunduar një kërkim që tregon se si fëmijët e nënave që kanë konsumuar shumë peshk gjatë shtatzënisë, ishin më inteligjentë dhe më të shkathët se bashkëmoshatarët e tyre. Grupi i shkencëtarëve amerikanë arriti të testonte 341 fëmijë me moshë tre vjeç së bashku me nënat e tyre. Grave që iu ishte bërë një analizë gjaku në tremujorin e tretë të shtatzënisë, iu ishte dhënë edhe një pyetësor për të shënuar llojin e dietës dhe sasinë e peshkut të konsumuar. Kur fëmijët e tyre mbushën tre vjeç iu nënshtruan një testi mbi analizën e të folurit, koordininim motor dhe atë hapësirë-kohë. Rezultatet përfundimtare treguam se fëmijët e grave që kishin konsumuar peshk të paktën dy herë në javë arrinin pikët maksimale në test. Por pavarësisht kësaj, duhet treguar gjithmonë kujdes në llojin e peshkut që vendosni të konsumoni, sepse studimi tregoi edhe se fëmijët e grave që në analizat e gjakut rezultuan se kishin një përqendrim më të lartë të mërkurit, arrinin rezultatet më të dobëta konjektive. Era e peshkut të freskët është si era e detit.

Për këtë arsye, studiuesit paralajmërojnë se duhet konsumuar të paktën dy herë në javë dhe nga ai lloj që është shumë i pasur me yndyra omega-3 dhe i varfër me mërkur. Këto substanca luajnë një rol kyç në zhvillimin e trurit të fëmijëve. Më i miri është pa diskutim merluci, që përmban pak yndyra omega-3, por edhe përqendrimin më të ulët të mërkurit.

E pra, vitaminat dhe proteinat e tij të rralla që nuk gjenden në asnjë produkt tjetër ushqimor, janë të domosdoshme për sistemin nervor, muskujt dhe kockat. Po ashtu, ata përmbajnë edhe kalcium, fosfor dhe jod, i nevojshëm për prodhimin e hormoneve të tiroideve e mjaft i rëndësishëm për krijimin e embrionit të bebes, si dhe në moshën e pubertetit të fëmijëve. Por nuk duhen lënë pa përmendur edhe elemente si fluori, kobalti, magnezi, kaliumi, bakri, dhe seleniumi. Në të gjendet edhe një sasi e madhe vitaminash, ku më e rëndësishmja është vitamina A, që vepron kundër dobësimit të shikimit në errësirë, vitamina D, e domosdoshme për forcimin e kockave dhe rakitizmit te fëmijët. Është e vërtetë se peshku përbën ushqimin kryesor për një numër të madh njerëzish që nuk e fusin në gojë mishin. Ai përmban vitaminën B, si vitaminën B6, e cila lufton aneminë dhe vitaminat B2, B12. Është i pasur me omega-3, acide yndyrore të pangopura ose mbrojtëset më të mira ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Janë këto acide që ndihmojë të jesh energjik, të shtojnë tonalitetin e muskujve dhe të ulin peshën e tepërt. Por, ato janë edhe shumë delikate dhe shkatërrohen shpejt në temperatura të larta. Për të ruajtur vlerat e tyre është mirë të gatuhen në avull. Yndyrat e peshkut ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq LDL, duke ruajtur njëkohësisht kolesterolin e mirë HDL. Brenda tij gjenden edhe acidet specifike DHA (acidi dekahekzaenoik), apo EPA (acidi ekozapentanoik) etj. Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit në Angli, pas vitesh të tëra studimi te njerëzit mbi 65 vjeç që konsumonin vazhdimisht peshk rreth dy ose tri herë në javë, arritën në përfundimin se toni apo peshqit e pjekur në skarë e pakësojnë rrezikun e vdekjeve nga problemet kardiake. Po kështu, studimi më i fundit i bërë te gratë shtatzëna thanë se ngrënia e një sasie të konsiderueshme peshku gjatë 9 muajve të shtatzënisë (rreth 340 gramë në javë) ndikonte mjaft në inteligjencën e fëmijëve. Gratë që e kishin konsumuar vazhdimisht këtë produkt, jo vetëm që lindnin fëmijë më të zgjuar, por edhe kishin një shikim më të mirë. Nga ana tjetër, peshku këshillohet shumë gjatë periudhës së shtatzënisë, pasi këto gra kanë një nevojë shumë të madhe për hekur. E pra, është ilaçi më i mirë për shumë sëmundje, sidomos nëse konsumohet i freskët dhe i pjekur në skarë. Në një botë, ku shkenca dhe mjekësia ecën me hapa gjigantë, nuk është e vështirë të jetosh njëqind vjeç, madje të bësh edhe një jetë të shëndetshme, nëse zbaton me përpikmëri rregullat e domosdoshme për organizmin. Vetëm kështu mundësitë për të jetuar "sa të duash" janë të mëdha. Sipas asaj që shkencëtarët thonë, ndër këto rregulla kryesore përfshihen stili i jetesës dhe ushqimet. Në të vërtetë nuk ka studim, sidomos ata që i "kushtohen" jetës së shëndetshme dhe jetëgjatësisë, që të mos përmendet peshku dhe vera. Por jo vetëm kaq, peshku është edhe ushqimi më i dashur në recetat e dietologëve, duke e kaluar mishin pa asnjë vështirësi. I pasur me përbërës ushqimorë thelbësorë është mjaft i dobishëm për organizmin tonë, ndaj këshillohet të përdoret më shumë se tri herë në javë. Është partneri më i vjetër i verës, ilaçi më i mirë për shumë sëmundje dhe ushqimi i padiskutueshëm i darkave fisnike. Ndihmon në uljen e kolesterolit të keq në gjak, parandalon alzhaimerin, demencën, forcon kockat dhe na bën më inteligjentë. Vaji i tij lehtëson qarkullimin e gjakut, përdoret në rastin e pezmatimit të nyejve dhe në disa raste, mund të përdoren për trajtimin e ekzemës, migrenës. Në botë ekzistojnë më shumë se njëzetmijë lloje peshqish dhe pothuajse të gjithë përmbajnë proteina që asimilohen mirë. Ato përmbajnë aminoacide, shumë të domosdoshme për organizmin e njeriut, si isoleucina apo valina, që ndikojnë në formimin e muskujve apo të glutamines, që vepron kundër lodhjes. Peshqit përmbajnë shumë proteina, madje edhe më shumë se mishi. Më të pasurit me proteina janë peshku ton dhe barbuni. Sot, gatimet e detit dhe sidomos peshku, janë ndër më të shtrenjtit në të gjitha restorantet, si ato elegante, ashtu edhe ato më të thjeshtit. Vërtet nuk mund të ketë ilaç më të mirë se sa të "marrësh" tri herë në javë nga goja një pjatë peshk, një gotë verë dhe një pjatë me sallatë jeshile apo perime të ziera, sepse, sipas studimeve më të fundit, nga mënyra e të ushqyerit rezulton se tumori prek një person ndër tre të tillë. Kështu, përveç ushqimeve që duhen evituar, specialistët këshillojnë se duhet përdorur patjetër çdo ditë. Që frutat dhe perimet të bëjnë shumë mirë për shëndetin, këtë e dimë prej kohësh, por në brendësi të këtyre kategorive, kërkuesit kanë filluar të individualizojnë ushqimet për t‘u përdorur si armë specifike kundër llojeve të caktuara të tumoreve ku bën pjesë dhe peshku

Gatimi

Peshqit mund të gatuhen të plotë, ose të ndarë në copa apo fileto, që mund të jenë me ose pa hala e lëkurë. Ai mund të gatuhet në disa mënyra: i skuqur, i pjekur në skarë ose furrë dhe i zier në disa mënyra sipas dëshirës. Për zierje përdoren vetëm peshqit që nuk kanë erë karakteristike si për shembull qefulli, levreku, apo kocet, ndërsa llojet e tjera, si ngjala apo krapi, përdoren vetëm për skuqje. Specialistët e ushqimit këshillojnë se ai i ruan më shumë vlerat ushqimore në skarë apo i gatuar me zierje me avull. Ai mund të serviret me perime të freskëta sipas sezonit, por edhe me perime të përpunuara, duke i kombinuar ato me salca e produkte pikante. Më të ushqyeshëm dhe më të shijshëm se peshqit e fërguar janë ata të skarës. Ky lloj peshku marinohet duke u vënë në enë porcelani me lëng limoni, vaj ulliri, piper të zi, fletë dafine, majdanoz dhe lihet për rreth dy orë në frigorifer. Në kohën që do të piqet në skarë, i hidhet kripë, lyhet me marinadën dhe vendoset mbi skarë që të piqet, duke treguar kujdes që të mos i digjet lëkura. Në raste festash peshku vendoset i gjithi në një pjatancë dhe pritet në feta vetëm kur shërbehet.

Burim i pasur për ushqim njerëzor

Që nga fillimet e jetës mbi tokë, peshku ka përfaqësuar një burim të rëndësishëm ushqimi. Mënyra më e lehtë për ta siguruar ka qenë një ndër arsyet se përse vendbanimet e para urbane janë ngritur lumenjve, apo deteve. Në rrjedhën e kohës, njeriu ka mësuar të shfrytëzojë më mirë produktet e peshkut. Në shekullin e fundit janë zhvilluar politika peshkimi për të rritur sasinë dhe për të ruajtur peshqit e vegjël, duke respektuar njëkohësisht edhe kohën e riprodhimit. Megjithatë, miliarda qenie njerëzore që kanë si burim kryesor ushqimi detin, po ndikojnë ndjeshëm në rrezikun e zhdukjeve të shumë specieve të veçanta. Vetëm brenda shekullit të fundit, detet dhe lumenjtë kanë pësuar një zvogëlim drastik nga shumë lloje të tyre. Ende sot është Lindja, e sidomos Japonia që përdor speciet e detit si ushqim i ditës së përditshme ushqimore. Japonezët njihen për konsumin e madh të sushit dhe shashimit, ushqime tipike të traditës vendase, që kanë si bazë peshkun. Jo më kot që edhe tregu më i madh i peshkut sot në botë ndodhet në Tsukiji, Tokio. Në këtë treg gjenden më shumë se 10.000 lloje peshqish dhe molusqesh ku më i shtrenjti është peshku ton i ujërave të Mesdheut. Vetëm aty mund ta kuptosh fare mirë se njeriu po i shfrytëzon përtej mundësive burimet ujore. Por, përveçse ka shoqëruar jetën e njeriut përgjatë historisë, ka qenë edhe elementi simbolik apo shprehje e mitologjive të vjetra, që nga koha e paganizmit dhe më vonë i qytetërimeve të tjera, si antikiteti greko-romak. Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për njeriun amfib, apo Afërditën, Erosin, madje edhe për përbindëshit Typhon, që ishin gjysmë peshq dhe gjysmë njerëz e hyjni. Të tilla ishin dhe sirenat që iu shfaqën Odiseut gjatë kthimit nga Itaka.

Akquariofilia

Akquariofilia është një pasion që i ka rrënjët në rritjen e tyre për qëllime ushqimore që romakët bënin me speciet që kishin më shumë për zemër. Ky pasion që nisi të studiohej hollësisht përgjatë shekujve, tani është kthyer në tendencë. Një ndihmë të madhe për zhvillimin shkencor të këtij hobi ka dhënë padyshim natyralisti i madh Konrad Lorenz, babai i etologjia, shkencës që studion sjelljen e kafshëve. Ai ishte i pari që zbuloi se peshqit ishin kafshë më komplekse se çmendohej. Pas Luftës së Dytë Botërore, akquariofilia nisi të përhapej me ritme të shpejta, aq sa sot është bërë një tendencë në të gjithë botën. Akuariume me përmasa gjigande zbukurojnë ambientet madhështore të lokaleve apo qoshet e shtëpive, sidomos të atyre që janë aq shumë të pasionuar pas botës ujore dhe organizmave të saj.

Recetat

Peshk i furrës me hudhra

Peshku i pastruar pritet në racione dhe vendoset në tavë. Në një tigan me vaj ulliri skuqet mielli, hudhrat, salca, uthulla, ujë piper, gjethe dafine. Lihen sa të marrin valë, pastaj i hidhet peshku dhe vihet të piqet në furrë. Tava del me pak lëng dhe shërbehet me pure patatesh apo patate dhe karota të ziera që spërkaten me salcën e vet.

Fileto peshku me krem

Filetat vendosen në tavë, hidhet lëng limoni apo verë e bardhë, kripë piper, qepë, karota, gjethe, dafine dhe mbulohen me letër të lyer me vaj ulliri. Piqen në furrë me kujdes, duke u kujdesur që filetat të jenë zbutur dhe lëngu të mos ketë avulluar. Hiqen filetat, vendosen në një pjatancë dhe ruhen në një mjedis të ngrohtë. Nga ana tjetër skuqet mielli, të cilit i shtohet lëngu i filetove, të verdha vezësh të rrahura dhe pak qumësht. Në tavë vendosen patate dhe karota të ziera, të prera në feta, dhe sipër spërkaten filetat me salcën e përgatitur. Sipas dëshirës, sipër mund të hidhet djathë kaçkavall dhe vendosen në furrë për t‘u pjekur.

Peshk me domate dhe feta portokalli

Pastrojmë peshkun me ujë të bollshëm, e kullojmë, e thajmë me pecetë dhe e vendosim në pjatancë, duke i hedhur kripë nga të gjitha anët. Në një enë porcelani hedhim verën, vajin, lëngun e limonit të prerë hollë, lëngun e dy domateve të grira, hudhrën e prerë hollë, piper, kripë sipas dëshirës dhe e trazojmë deri sa të bëhet një masë e njëjtë. Në një pjatë hedhim majdanozin e grimcuar dhe e përziejmë me galetën e bluar. Në tavë hedhim një shtresë nga masa e parë dhe mbi të majdanozin me galetën e bluar. Sipër vendoset peshku, i cili spërkatet me masën e parë dhe të dytë. Presim domatet dhe portokallin në feta rrethore simetrike, duke mbuluar të gjithë sipërfaqen e peshkut. E pjekim në furrë me nxehtësi mesatare për 20-30 minuta, duke e spërkatur herë pas here me lëngun e tij. Pas pjekjes e vendosim në pjatancë dhe anash vendosim patatet e ziera e të spërkatura me majdanoz. Salcës së mbetur në tavë i jepet një valë për 3-4 minuta. Më pas i hidhet sipër peshkut. Shërbehet sipas dëshirës, e ftohtë ose e ngrohtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›