Historia nëpërmjet fotove të rralla; Dorëzimi i Kurorës së Skënderbeut në Romë
Plot 69 vjet më parë, në mëngjesin e 7 prillit të vitit 1939, apo siç njihet ndryshe në kujtesën historike të shqiptarëve, të premten e zezë, Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak, duke pushtuar Shqipërinë. Po atë ditë, pas një rezistence të armatosur të bërë prej një pjese të reparteve ushtarake të Mbretërisë së Zogut, si dhe të disa qindra vullnetarëve civilë që morën armët dhe shkuan për të luftuar në disa prej skelave të bregdetit tonë, si në Durrës, Shëngjin, Vlorë, Sarandë etj., forcat italiane zbarkuan në portet kryesore të vendit tonë. Gjatë atij zbarkimi, sipas disa të dhënave që nuk u konfirmuan kurrë, thuhet se trupat pushtuese italiane lanë rreth 53 ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur, të cilët u tërhoqën në fshehtësi të plotë në anijet e luftës dhe trupat e tyre u rikthyen drejt porteve italiane. Vetëm një javë më pas, më 12 prill 1939, në marrëveshje me autoritetet italiane të pushtimit, në Tiranë u formua një Komitet Administrativ nën kryesinë e zotit Xhaferr Ypi, me z. Mihal Sherkon për punët e Jashtme, Zef Kadarjan për punët e Brendshme, Pertef Pogonin për Arsimin, Kosta Markun për Financat, Izedin Beshirin për punët Botore dhe Llambi Aleksin për Ekonominë Kombëtare. Përveç këtyre, koloneli italian, Stamati, u caktua për të organizuar forcat e rendit që do të mbanin qetësinë. Komiteti Administrativ vendosi formimin e një Asambleje Kushtetuese, në të cilën u zgjodhën personalitetet më të spikatura të jetës politike, shoqërore, artit, kulturës etj., nga e gjithë Shqipëria. Kjo asamble, më datën 12 prill paradite, u mblodh në sallën e Kuvendit dhe pasi emëroi qeverinë shqiptare, të kryesuar nga Kryeministri Shefqet bej Vërlaci, vendosi që të zgjidhte një dërgatë (delegacion), të përbërë nga personalitete prej të gjitha qarqeve të vendit, e cila do t‘i dërgonte Kurorën e Artë të Skënderbeut në Romë, Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Emanuelit III, i cili, në bazë të vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, shpallej edhe Mbret i Shqipërisë. Sipas vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, kjo dërgatë, e përbërë nga personalitete dhe patriotë të shquar nga të gjitha trevat e Shqipërisë, u nis për në Romë më datën 14 prill. Pasi u prit nga autoritetet më të larta italiane, të kryesuara nga vetë Kryeministri Benito Musolini (Duçja), në mes të ceremonive të shumta i dhuroi Mbretit Viktor Emanueli Kurorën e Artë të Skënderbeut. Këto dy ngjarje; agresioni fashist më 7 prill dhe dorëzimi i Kurorës së Skënderbeut në Romë, mbeten dy nga më të përfolurat në të gjithë historinë e Shqipërisë. Ato po i sjellim nëpërmjet disa fotove tepër të rralla, të nxjerra nga arkivat italiane. Në pjesën e parë të këtij shkrimi, të botuar në numrin e djeshëm në katër faqe, publikuam 18 foto nga agresioni fashist italian i 7 prillit 1939 në Shqipëri, si dhe hyrjen e trupave ushtarake të pushtimit dhe autoriteteve të larta italiane në disa prej qyteteve kryesore të vendit tonë, ku janë të fiksuara edhe shumë ceremoni festive. Në numrin e sotëm po publikojmë fotot e delegacionit shqiptar, që dërgoi Kurorën e Artë të Skënderbeut në Romë dhe ia dorëzoi atë Mbretit Viktor Emaueli III, si dhe ceremonitë në të cilat ai mori pjesë në Itali.