E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tevez, Siti refuzon 25 milionët e Interit

TIRANE-Ka nisur një javë decizive për të ardhmen e Karlos Tevez, i përjashtuar nga Mançester Siti dhe në kërkim të një skuadre të re. Milani tashmë ka ndërprerë tratativat, duke qenë se Aleksandre Pato refuzoi të largohej drejt Paris Sent Zhermenit. Dukej se Interi ishte shumë pranë blerjes së kartonit të argjentinasit, por përgjigja e drejtuesve të klubit anglez dje ka qenë negative, megjithë 25 milionë eurot e ofruara nga Morati. Sipas Sky Sports, drejtuesit e Mançester Sitit e kanë quajtur ofertën e klubit zikaltër si "të pamjaftueshme". Një gjë e tillë do të thotë se destinacioni i "Apashit" mund të jetë PSG-ja i Leonardos, që ka ofruar 30 milionë euro, plus 5 bonus. "Nuk di gjë për refuzimin e ofertës, - tha presidenti Masimo Morati. - Nuk duam të bëjmë gjëra pa sens, kështu që të shohim. Tevez është padyshim një futbollist interesant, por duhet parë nëse është një okazion i mirë", shtoi ai. Ndërsa trajneri Klaudio Ranieri, deklaroi: "Ekuilibrat e skuadrës sonë janë vendosur, pasi skuadra është duke ecur mirë dhe kjo më ka pëlqyer. Pyetja që më duhet të bëj, është se sa mund të japë ky djalosh që nuk luan prej kohësh?”.

(d.b/a-.atifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›