Pësuan probleme shëndetësore, shpëtohen nga Policia dy turistë në Lëpushë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Dy turistë belgë, të cilët u bllokuan pranë liqenit të Shtrazës në Lëpushë për shkak të problemeve shëndetësore gjatë eksplorimit, u shpëtuan pas një operacioni të gjatë nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me autoritetet malazeze.
Operacioni, i cili zgjati rreth 4 orë, u zhvillua nga Stacioni i Policisë Kufitare (SPK) Grabom dhe Pika e Kalimit Kufitar (PKK) Bashkim, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë malazeze për shkak të aksesit më të lehtë nga territori i Malit të Zi.
Sipas Policisë së Shkodrës, mëngjesin e sotëm u mor njoftimi se dy turistë belgë kishin shfaqur probleme shëndetësore gjatë eksplorimit të liqenit të Shtrazës dhe kërkonin ndihmë urgjente. Menjëherë u organizua një ekip për t’i lokalizuar dhe për t’u ofruar ndihmë.
Pas kërkimeve intensive në një terren të vështirë malor, turistët u gjetën dhe u transportuan me sukses në spital për të marrë asistencën e nevojshme mjekësore. Aktualisht, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, dhe ata kanë shprehur falënderime për Policinë për reagimin e shpejtë dhe humanizmin e treguar.
/a.f./