Peter Pakult: Në kthim, me ngarkesë të përgjysmuar
Vllaznia u shpartallua në Vjenë 5-0 nga Rapidi dhe tashmë eliminimi është thuajse i sigurt. Ndërkohë që kundërshtari e shikon ndeshjen e kthimit si një shëtitje. "Urime dhe komplimente ekipi, shprehej dje Peter Pakult, trajneri i Rapidit. U arrit ajo që parashikuam, luajtëm mirë për 90 minuta. Në këtë ndeshje harxhuam shumë fuqi. Por megjithatë, kemi avantazh faktin se në ndeshjen e kthimit, nuk është më e nevojshme që lojtarët të luajnë me ngarkesë të plotë". Pas humbjes, mediat austriake u kanë kushtuar jo pak rëndësi reagimeve të trajnerit të Vllaznisë, Hasan Lika, madje duke i komentuar edhe në mënyrë ironike. "Duhet ta kishit parë Hasan Likën, shkruante dje gazeta ‘Wiener Zeitung‘. Ai dukej si t‘i kishte shpërthyer reaktori i energjisë atomike në dorë. Ngjante me një vullkan. Para ndeshjes me rapidin ishte i qetë,nuk i lëvizte as mimika, ndërsa gjatë 90 minutëshit ‘vallëzonte‘, kërcente e bërtiste në atë lloj mënyre, saqë në realitet mund t‘i nevojitet një program fitnesi".