E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mira e vizave të refuzuara

Duke kaluar nëpërmjet një ure mbi lumin Rajna, në fakt, pa e vërejtur fare ne ishim duke kaluar kufirin e dikurshëm Francë-Gjermani dhe këtë e dëshmoi vetëm një tabelë me mbishkrimin "Bundes Republik"...

Që nga lajmi se Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi nga vendet e rajonit do të përfitojnë nga viti 2010 liberalizim të vizave me BE-në, duke lënë anash Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, ky lajm u bë si të thuash kryetema e çdo bisede në këto vende, duke arritur në përfundime të shumta, kryesisht në kontekst negativ. Një nga përfundimet, normalisht, është edhe getoizimi i kësaj pjese, respektivisht ajo që po më intereson më shumë, getoizimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Fjalinë e fundit është mirë ta shohim dhe ta lexojmë edhe njëherë: getoizimi i Kosovës dhe Shqipërisë! Dhe në fakt, kështu është po të kemi parasysh proceset europiane. Por, a është po njësoj edhe përballë proceseve brendashqiptare? Thuhet se një gotë gjysmë të zbrazur dikush e shikon si gjysmë të mbushur, ndërsa dikush tjetër si gjysmë të zbrazur. Unë tani dua t‘ju provokoj me një gotë, që e kemi ëndërruar gjenerata e gjenerata. Them se, ne, si komb, edhe në këtë rast në dy shtete të njohura ndërkombëtarisht, mund ta shfrytëzojmë mjaft mirë këtë "getoizim" në të mirën tonë të përbashkët. Sa kohë që po pretendojmë të shkojmë në një Europë pa kufi (rasti Gjermani-Francë dhe në gjithë BE-në), atëherë pse ne, vetëm ne, vetëm kufiri shqiptaro-shqiptar u dashka të jetë kufi i tillë? Pse qytetarët e të dy anëve u dashka të presin në kolonë për të lëvizur andej-këndej, ndërsa askund tjetër, vendet e BE-së dhe pjesa e liberalizuar nuk presin? Kush mund të na detyrojë të mos e bëjmë një mini-shengen tonin, një zhdukje të pikave kontrolluese përballë Shqipërisë, sidomos tani?

Qytetarët e të dy anëve të kufirit, sidomos, pjesa politike dhe përfaqësuese, institucionet tona, e kanë për obligim të fillojnë të mendojnë pozitivisht se si ta shfrytëzojmë këtë rast të mirë që na është ofruar për t‘i kryer detyrat tona të shtëpisë. Nuk është mirë të përhapet paniku në popull se ne mbetëm të izoluar etj., etj., por të punohet për zhbllokim. Ky zhbllokim duhet të fillojë së pari mes nesh. Dua atë përjetim të kalimit Francë-Gjermani dhe anasjelltas, ku nuk kisha nevojë për t‘i treguar askujt as letërnjoftimin dhe as pasaportën, pasi nuk ekzistonte askush, nuk ishte pikë kontrolluese kufitare. Këtë e dua për kufirin Kosovë-Shqipëri. Nëse Europa momentalisht po na izolon, atëherë të mos e izolojmë ne veten e të bëhemi gati shumë shpejt që të mos i lëmë asnjë arsyetim tjetër të mungesës së kapaciteteve për të pasur të drejtën e liberalizimit të vizave. Mos t‘ia lëmë fajin vetëm Europës, por e përsëris: t‘i kryejmë ne detyrat e shtëpisë, ato që na takojnë karshi Europës dhe çka është me rëndësi, ato që na takojnë karshi qytetarëve të dy shteteve. Një liberalizim i tillë i vizave me BE-në do të ndodhë shumë shpejt edhe për ne, por jo duke u vetëmjaftuar dhe duke u ankuar, por duke punuar. Tanimë, të gjitha rrugët na çojnë në Tiranë. Edhe rruga për në Evropë do të jetë kah Tirana.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›