E Shtunë, 31 Tetor 2026

LIRIA VJEN NGA PUNA...

Në qemerët e portave të kampeve naziste të përqendrimit shkruhej me germa të hekurta: Puna të bën të lirë! Ishte tallja dhe cinizmi i një regjimi që u themelua mbi vrasjen e lirisë po që kërkonte të mbahej në këmbë duke mashtruar shpresën e lirisë, duke i vënë kushte njeriut: Puno që ta fitosh lirinë! Eshtë e pabesueshme, por një tramtë e tillë cinike me lirinë e njerëzve (puno që të fitosh lirinë!) shfaqet sot si thelb i kamufluar dhe absurd i politikës së Bashkimit Europian me shtete ballkanike si Shqipëria.

Vendimi i fundit i BE-së që përjashtoi Shqipërinë nga lista e bardhë e shteteve, qytetarët e të cilëve mund të lëvizin pa vizë, "argumentohet" si ndëshkim për mosrealizimin e disa detyrave nga qeveria shqiptare. Ndaj, dhe burokracia e BE-së u thotë shqiptarëve dhe qeverisë së tyre: Bëni detyrat e shtëpisë, punoni që të fitoni lirinë e lëvizjes.

Kjo histori dhe marrëdhënie cinike ka thuajse 20 vjet që vazhdon. Një populli të tërë, që përmbysi një regjim që e mbante burgosur 45 vjet në kafazin e një shteti pa zemër, një populli që u ngrit me ëndrrën për të shpërthyer këtë kafaz antinjerëzor, vazhdohet t‘i thuhet edhe pas dy dekadash se nuk e meriton të jetë i lirë. Regjimi ka rënë, për kafazi është aty. Nuk ka më tela me gjemba në kufi, por ka tela me gjemba në muret e ambasadave. Dhe mbi të gjitha, ka një burokraci edhe më të pamëshirshme që nuk e ka për gjë të bashkëpunojë kriminalisht edhe me tregun e zi të vizave, me tregun ku shitet dhe blihet ilegalisht liria e lëvizjes. Dhe a nuk është e gjithë kjo "politikë" e BE e njëjtë me "Jeden das Seine" (që gjermanisht do të thotë: Gjithkush merr atë që meriton) dhe që nazistët e kishin shkruar në kryeportën e Bukenvaldit? A nuk kërkon të thotë e gjithë kjo se shqiptarët nuk meritojnë të jenë të lirë? Na duket se politika dhe diplomacia e Europës, që është djepi i lirisë, ka rënë në gabimin fatal të dhunimit të lirisë së një populli. Nga që i është larguar filozofisë dhe politikës së vet tradicionale që themelohet mbi lirinë. Dhe në vend që të përdorë edhe lirinë e lëvizjes si mjet për zgjidhjen e problemeve që kanë sot shqiptarët, po përdor "problemet" për të mohuar lirinë e lëvizjes së shqiptarëve.

***

Para se të jetë një meritë liria është një e drejtë e lindur me njeriun. Pra edhe liria e lëvizjes. Politika apo diplomacia e një bashkësie shtetesh demokratike mund të vendosë kushte për shumë gjëra, por jo për atë që është e drejtë universale e njeriut, lirinë e lëvizjes. Mund të ketë kushte për tregtinë e mallrave, për armët bërthamore, për mjedisin, por është e rrezikshme, degraduese për një sistem me liri dhe pa dyshim kundërthënëse, të privojë lirinë si kusht për të fituar lirinë. Edhe lirinë e lëvizjes. Krejt në kundërshtim me doktrinën perëndimore të lirisë, është liria e lëvizjes që mbetet edhe sot e kësaj dite (si edhe nën regjimin komunist) e drejta më e dhunuar në vende si Shqipëria. Shqiptarët janë të detyruar të paraqiten në radhë përpara sportele ambasadash ku shkruhet: Ambasada nuk jep shpjegime për mosdhënien e vizës! E si kështu? Si është e mundur të mos i jepet shpjegim një njeriu se përse e pengojnë të shfrytëzojë të drejtën e tij universale për të udhëtuar i lirë? Arroganca është e hapur. Sepse nëse një europian (tani edhe një maqedonas, serb apo një malazez) ka të drejtë të udhëtojë pa vizë pra pa u paraqitur në asnjë sportel, një shqiptar ka të drejtë të udhëtojë pasi të ketë plotësuar detyrimin burokratik dhe financiar për të marrë një vizë. Por ka të drejtë të udhëtojë kështu. Dhe nuk mund të penalizohet veçse kur e meriton të penalizohet pra, kur ka kryer një krim apo kur ka fakte dhe dokumente se përfaqëson rrezik për rendin apo ligjin në vendin ku do të udhëtojë. Pra edhe privimi i lirisë për të udhëtuar kërkohet të argumentohet ndryshe, në vend që të ushtrojë një të drejtë, ambasada (cilado qoftë ajo) do të bëhet ushtruese arrogance që i ka dhënë fund prej shekujsh Karta e Madhe. Për çdo ndëshkim ka edhe një shpjegim. Dhe privimi i lirisë së lëvizjes është një ndëshkim. Apo mos në Bruksel kërkojnë ta quajmë të drejtë privimin e lirisë së lëvizjes? Por a nuk do t‘i jepnim kështu të drejtë edhe regjimit komunist të Enver Hoxhës? Mjerisht në jo pak raste, shqiptarëve ju mohohet e drejta e udhëtimit, e lirisë, pa asnjë shpjegim madje pa i rimbursuar as edhe tarifën e paguar të vizës së pa marrë. Eshtë, as më shumë dhe as më pak, arrogancë e gardianit mesjetar që luan me tufën e çelësave prapa hekurave të qelisë.

***

Thuajse 19 vjet pas përmbysjes së regjimit më izolacionist në botë, shqiptarët gjenden befas në një situatë që ju kujton kohën e vjetër. Ata jo vetëm nuk do të munden të udhëtojnë pa viza në Europë, por as edhe në shtete fqinje si Mali i Zi apo Maqedonia që do të hyjnë së shpejti në zonën Shengen. Shqiptari që udhëtonte për turizëm në Mal të Zi apo Maqedoni pa vizë, duhet t‘u rikthehet sporteleve. Vitet kalojnë dhe hapësirat e lëvizjes së lirë për shqiptarët në vend që të zgjerohen po ngushtohen. Zyrtarët europianë japin si arsye të ndëshkimit të Shqipërisë moskryerjen e disa detyrave, si pasaportat biometrike apo sigurimin e kufijve, nga qeveria shqiptare. Por në opinionin dhe median vendase pakënaqësia dhe skepticizmi kanë kapur nivele të larta duke mos shmangur dot edhe dyshimet dhe hipotezat për diskriminim të shqiptarëve. Nuk është se qeveria shqiptare ka bërë ndonjë punë të lavdërueshme për përmbushen e disa kërkesave që do të mundësonin heqjen e vizave të udhëtimit. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët nuk janë pajisur me karta identiteti ndonëse Kryeministri Berisha, që duket se do të ruajë postin edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kishte premtuar se do ta përmbushte një gjë të tillë që në vitin 2006. Por skepticizmi ndaj vendimit të BE ngre dyshime që nuk mund të neglizhohen. Ndonëse ende i papërkryer, procesi i pajisjes me karta identiteti të shqiptarëve ka nisur ndërkohë që është prodhuar dhe po shpërndahet pasaporta biometrike. Shumëkush beson se vendi i ka të gjithë mundësitë të avancojë dukshëm deri në fund të vitit në pajisjen e popullsisë me këto dokumente dhe prandaj, kishte edhe një pritshmëri për një qëndrim më zemërgjerë nga burokratët e BE. Në fund të fundit është fjala për një vlerë bazike europiane, për lirinë e lëvizjes si e drejtë e pamohueshme e njerëzve. Edhe në rastin kur qeveria e tyre nuk e bën punën si duhet. Dhe a është zgjidhja privimi kolektiv i lirisë së lëvizjes që nuk mund të mos të kujtojë kampet e përqendrimit?

***

Mesazhet që mbërrijnë nga Europa në Tiranë ka kohë që janë kontradiktore. Ishte politika dhe diplomacia e vendeve më të fuqishme europiane që aprovoi para pak kohësh futjen e Shqipërisë në NATO duke mburrur progresin e Shqipërisë. Sot është po kjo politikë dhe diplomaci që vendos se Shqipëria nuk është e denjë që qytetarët e saj të lëvizin lirisht. A është e mundur që shqiptarët të jenë ushtarë të mirë të NATO-s, mbrojtës të lirisë dhe demokracisë perëndimore, por jo plotësisht të denjë për të? Thonë se Shqipëria nuk ka siguruar sa duhet kufijtë, gjë që nuk përjashtohet. Por harrohet të pyetet: kufijtë me kë? Fqinjë të Shqipërisë (përveç Kosovës) janë Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia dhe kur thua se kufijtë e saj janë të pasigurt, ke thënë njëherazi se të pasigurt janë edhe kufijtë e Maqedonisë apo Malit të Zi që gjithsesi, janë sot në listën e bardhë të lëvizjes së lirë. Edhe për sa i takon emigrimit ilegal të shqiptarëve në Greqi, ai do të reduktohej në "0" nëse shqiptarët do të lejoheshin të udhëtonin lirisht. Por mos vallë kjo do të krijonte probleme në tregjet greke të punës gjithnjë e më të ngushta për shkak të krizës? Mundet, por kjo nuk është një arsye për të dhunuar lirinë e lëvizjes së shqiptarëve. Mjerisht duket se është një frikë dhe egoizëm i tillë ekonomik, që e ka shtyrë politikën e BE të kufizojë përsëri lirinë e lëvizjes së shqiptarëve duke dalë si pa kuptuar kundër lirisë dhe vetes së vet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›