E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petersen: Kosova është një storie e suksesit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ish-kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jesen Petersen. Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për perspektivën euroatlantike të shtetit të Kosovës.

“Kryeministri Thaçi me këtë rast para z.Petersen prezantoi të arriturat e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të vendit për thellimin e reformave të gjithanshme në politikë, ekonomi dhe në legjislacion”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Hashim Thaçi potencoi në mënyrë të veçantë vizionin e qeverisë që drejton për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

“Në këtë kuadër kryeministri Thaçi theksoi disa nga sukseset e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim, siç janë fillimi i punimeve në autostradën Morinë-Vërmicë-Merdarë, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, procesi i privatizimit të Post Telekomit të Kosovës, procesi i ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re, i hidrocentralit të Zhurit dhe projektet tjera me rëndësi strategjike”, thuhet më tej në njoftim.

Në takim është diskutuar edhe lidhur me procesin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë angazhimin e diplomacisë kosovare dhe gjithë miqve ndërkombëtarë për rritjen e numrit të njohjeve, duke theksuar se ky numër do të vazhdojë të rritet në mënyrë të veçantë si rezultat i sukseseve të shtetit të Kosovës në të gjitha sferat.

Ndërsa, ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, i shprehu kryeministrit Thaçi përgëzimet më të sinqerta për të gjitha sukseset e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këto dy vite të shtetësisë.

“Jam i bindur që storia e Kosovës është një storie e suksesit dhe se pas anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, Republika e Kosovës në një periudhë jo të largët do të jetë pjesë edhe e institucioneve tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Perspektiva e Kosovës është perspektivë euro-atlantike dhe në këtë rrugë vendi juaj do ta ketë gjithë përkrahjen e plotë të miqve ndërkombëtarë”, tha Soren Jesen Petersen.

Kryeministri Thaçi ka pritur kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me të cilin ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

Mustafa ka njoftuar kryeministrin Thaçi lidhur me zhvillimet aktuale në Luginën e Preshevës dhe angazhimet e spektrit politik shqiptar për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kryeministri Thaçi ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e të drejtave të tyre politike dhe kombëtare në vendbanimet e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›