E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrit Kumi: Enver Hoxha pozonte si aktor, Alia modeli më i keq

SHKRUAN: Aida Tuci 19-01-2011 10:45

Si do të mund ta perceptonte brezi i sotëm dëshminë e një njeriu që pjesa më e madhe e kujtimeve të tij i përkasin një regjimi historikun e të cilit ata memorizojnë thjesht si mësim i radhës në lëndën e historisë? Regjimi komunist i parë me syrin e një fotografi dhe jo të një fotografi krejt të rastësishëm, por të atij që asokohe etiketohej si “fotografi i Bllokut”. Petrit Kumi, sot “babai” i fotografisë, kujtimet e asokohe i ka pjesë të jetës së tij. Fotot e tij janë procesi ynë historik. Përtej “madhores”, fotot e tij janë realiteti bardhe e zi i një epoke të cilës gjurmët edhe pse me kolorit ngjyrash i duken edhe sot. Përmes intervistës, fotografi, sot 80-vjeçar, Petrit Kumi rrëfen të fshehtat përtej aparatit, ndjesitë, frikën pse dhe jo dhe përfitimet e një jete brenda dhe jashtë rrethimit të bllokut komunist, rrëfen të kaluarën dhe të tashmen e fotografisë së tij. E paralel me kujtimet nuk i shpëton dot as pozicionimit për ta analizuar fotografinë si art bashkëkohor në Shqipërinë e djeshme me atë të sotmen. Jo rastësisht ai ishte dhe kurator i një ekspozite, e sjellë “ndryshe” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pikërisht ai 80-vjeçari me faqe personale në Facebook do të kuronte një ekspozitë të një vajze të re që përcillte momente të komunitetit të metalarvë në Amerikë dhe jo vetëm sepse vajza “metalare” që kishte realizuar fotot ishte vajza e mikut të tij, por mbi të gjitha sepse tek ajo Kumi si profesor shihte një fotografe profesioniste.

E nisim nga e tashmja, për të kthyer kokën nga e shkuara. Keni qenë kurator i një ekspozite kushtuar fansave dhe këngëtarëve të muzikës “Haevy Metal”. A mund të na jepni një mendim se si e shihni fotografinë sot?

Natyrisht që sot e mendoj ndryshe fotografinë. Unë i mbështes gjithmonë të rinjtë dhe më pëlqen kur ata kanë sukses në rrugën e fotografisë. Shoh se ka ende pasion dhe dëshirë për fotografinë, por shpesh duke mos e njohur mirë atë edhe gabojnë në zgjedhjen e tematikës që trajtojnë. Mos të nguten në gjetjen e tematikës, sepse përbën çelësin kryesor, pasi jo çdo gjë është e bukur. Te Marseida Shqarri, që solli ekspozitën e komunitetit të metalorëve, që ajo e njeh dhe ka jetuar me ta në Amerikë, unë shoh se me fotot e saj ajo ka arritur të kapë karakterin e tyre dhe kjo është e rëndësishme për të sjellë një fotografi të bukur. Nëse do të jetonte këtu, do të arrinte të kapte dhe karaktere të tjera të jetës sonë të përditshme. Vlerësoj fotografinë e Jutta Benznebergut dhe e konsideroj një fotografe të klasit europian. Fotografia e saj tashmë është drejt perfeksionit. Ajo është nga ato fotografe që pasqyron një qëndrim kritik ndaj realitetit, duke e ngritur atë në art. Fati më ka sjellë të njoh edhe fotografinë bashkëkohore, përveç fotografisë tradicionale të cilën unë e kam ushtruar. Unë personalisht si fotograf nuk prirem nga fotografia e qëndrimit kritik ndaj realitetit, por prirem nga fotografia që jep mesazhe pozitive, për të ndjellë kënaqësi estetike te publiku.

Ju keni një arkiv të pasur me foto, që kryesisht i përkasin regjimit komunist, pra para viteve ’90. Si ishte profesioni i fotografit në atë kohë?

Pjesa më e madhe e arkivit tim ndodhet në fakt në arkivin e revistës “Ylli dhe në ATSH, ndërsa vetë në arkivin tim kam rreth 12 mijë fotografi, që i kam të gjitha të dixhitalizuara. Asokohe ishte shumë i vështirë profesioni i fotografit. Unë dilja në mëngjes dhe nuk shkoja në shtëpi para orës 12 të natës, sepse duhej të miratoja fotot që do të shpërndaheshin për shtypin.

-Jeni etiketuar si fotografi i “Bllokut”. Si ishte jeta brenda dhe jashtë “Bllokut”? Ose më saktë, si e shihnit ju si fotograf?

-Unë isha fotoreporter i thjeshtë dhe jo punonjës i bllokut. Kisha frikë kur më caktonin mua të shkoja t’u bëja foto anëtarëve të Bllokut, se mund të ndodhte të mos u pëlqente fotoja ose mund të ndodhte të mos e realizoja dot foton. Por me sa duket atyre u pëlqente fotoja ime dhe më thërrisnin gjithmonë mua.

-Pëlqenin ata të fotografoheshin?

-Oh, ç’të pëlqyer se! Jo vetëm udhëheqësit, por dhe familjarët e tyre. Ata shpenzonin për arkivin e Enverit dhe mendoj se ata kanë një arkiv të jashtëzakonshëm, që kushedi ku ndodhet tani. Fotografonin të gjitha momentet e rëndësishme të jetës së tyre. Ata e vlerësoni jashtëzakonisht shumë fotografinë, pavarësisht se jo autorin e saj. Çdo moment i jetës së tyre duhej fotografuar. Fotografia vepron më shpejt dhe ka impakt më të shpejtë se një shkrim në gazetë, p.sh. Ishte një kurim që ata i bënin imazhit të tyre. Duhej medoemos të dilnin bukur në foto, por edhe nëse nuk dilnin, duhej ti ta bëje të bukur me zor.

-…që do të thotë?

-Që do të thotë se ti si fotograf kishe një punë të madhe në laborator, duke i rregulluar o sytë, o hundën, o veshin, në mënyrë që portreti të dalë sa më i bukur. Dhe mos harroni punonim me aparate mekanike dhe me filma.

-Kush personazh të ka lodhur më shumë për ta bërë të bukur?

-Ramiz Alia nuk kishte asnjë lloj predispozite për të dalë bukur në fotot, përkundrazi kontraktohej shumë dhe dilte shumë keq. Pëlqente më shumë figurën në Televizion. Ne nga ana jonë kishim si detyrë ta punonim foton në mënyrë që të dilte sa më bukur.

-Po Enver Hoxha?

-Ai ishte ndryshe dhe dilte mirë. Nga pikëpamja fotografike premtonte figurë cilësore. Edhe para aparatit, ai dinte të pozonte si aktor. Edhe në momentet më të këqija të jetës së tij, kur ai ishte i sëmurë, fotot e tij dilnin shumë mirë. E vetmja herë që më ka lodhur, ishte fotografia e tij e fundit, një javë para se të vdiste, në shtëpinë e tij. Kam shkuar 15 ditë rresht në shtëpinë e tij në Bllok për t’i bërë një portret. Më kishin urdhëruar, sigurisht me kërkesë nga Nexhmije Hoxha, që duhet të shkoja në shtëpinë e tij për t’i bërë një foto. Ai ishte shumë sëmurë dhe një nga dhomat e kthyem në studio fotografike me projektorë ndriçimi dhe të gjitha mjetet e nevojshme. Për 15 ditë me radhë kam shkuar atje që në orën 8 të mëngjesit deri në orën 15.00, pa arritur ta realizoja foton, sespe ai ishte shumë i kontraktuar. Kur ma ulën për herë të parë në karrige, nuk e besoja se ishte ai. Sëmundja e kishte shpërfytyruar tërësisht. Pas 15 ditësh kujtova një këshillë të fotografit të Mao Ce Dunit, të cilin e kisha takuar në Kinë gjatë një kursi që unë bëra atje, që më thoshte: Kur Mao është i kontraktuar dhe nuk arrij t’i bëj asnjë foto, e fus në biseda personale dhe kështu ai çlirohet. Kështu i them Nexhmijes, që të sjellë nipat dhe mbesat për të bërë foto dhe në momentin që ai dëgjon zërat e tyre në korridor çlirohet disi dhe unë realizoj disa shkrepje, të cilat më pas rezultuan mjaft të mira.

-Po fotoja e fundit e tij në publik?

Është bërë me rastin e festave të nëntorit, në vitin 1984. Më këtë rast do të zhvillohej spartakiada në stadiumi “Qemal Stafa”, ku thuhej se do të vinte edhe udhëheqësi. Në fakt ishte periudha kur mediat e huaja aludonin se ai ishte në shtratin e vdekjes. Kështu, kishte zëra se ai mund të mos vinte në këtë përvjetor, por nga ana tjetër vetëm për të ishte montuar një ashensor që do ta ndihmonte atë të ngjitej në podiumin e stadiumit. Kryeredaktori im i revistës “Ylli”, ku unë punoja, më thotë se duhej të isha patjetër atje, sepse revistës i shtoheshin shumë pikë nëse do të kishte kopertina të bukura politike. Duke dëgjuar thashethemet që udhëheqësi mund të mos vinte, unë kisha vendosur të mos shkoj, por kryeredaktori më thotë se ai do të jetë dhe se duhej të shkoja patjetër. Gjithsesi, nuk e di pse ndërrova mendje (ndoshta nga frika) dhe shkova dhe u ngjita në parapetin e stadiumit. Kur hipa atje lart, shoh që ishin instaluar të gjitha kamerat: Televizioni shtetëror, kamerat e Kinostudios. Kameramanët bërtisnin se u kisha zënë pamjen e tunelit nga thuhej se do të vinte udhëheqësi. Kur hedh sytë nga tuneli shoh Enver Hoxhën që e mbante përkrahu Sulo Gradeci. Enveri e kishte njërën dorë të paralizuar dhe Sulo ia mbante lart. Në momentin që hyri në ashensor dhe do të dilte në publik ai i jep një të shtyrë dorës që të qëndronte në pozicionin lart, sikur përshëndeste për pak sekonda. Në këtë moment unë i bëj disa shkrepje dhe nisem me vrap në punë për të zhvilluar filmin. Rezultoi se fotoja ishte perfekt dhe shpejt e shpejt fotografia ime u çua në ATSH, ku u shumëfishua dhe iu dërgua të gjitha mediave që ishin asokohe. Të gjitha e kishin në faqe të parë portretin e tij, që përshëndeste me duar lart. Të nesërmen më thërret kryeredaktori i revistës “Ylli” dhe më thotë se duhet të shkoja te postblloku i udhëheqjes dhe se ushtarët do më shoqëronin për te shtëpia e Enverit. Në fillim pata një lloj druajtje, se mos nuk u ka pëlqyer fotoja. Në shtëpi më pret Nexhmija, e cila më bën dhe një kafe e ma vë përpara. “Të falënderoj shumë - më tha - se i ke bërë një shërbim të mirë Partisë, sepse shtypi botëror ka shkruar se shoku Enver është në prag të vdekjes. Me këtë foto u kemi dhënë një goditje të fortë.” Dhe pas publikimit të kësaj fotoje shtypi i huaj nuk shkruajti më. Në fakt, ai ishte shumë i sëmurë. Atë kafe që kisha përpara nuk e piva dot.

-Po fotografia e fundit?

-Fotografia e fundit ka qenë ditën që vdiq. Në orën 5 të mëngjesit një xhip i Ministrisë së Brendshme u ndal para shtëpisë sime në rrugën Ali Pash Gucia nr.35 dhe dy sigurimsa zbresin dhe i bien derës sime: Vishu -më thanë- dhe futu në makinë. Brenda në makinë më pyetën: Ku e ke atë foton që bëre para një jave? E ka shoku Sulo, u them dhe kam qëndruar me ditë të tëra në godinën ku sot ndodhet Akademia e Arteve, duke fotografuar karvanin e madh të njerëzve që fillonte te stacioni i trenit e mbaronte aty, që qanin e ulërinin para arkivolit të tij. Ne shqiptarët jemi popull i çuditshëm.

-Kush ka qenë më i vështiri për t’u fotografuar?

-Ramiz Alia. Ishte ironik, cinik. Ishte nga ata që vlerësonte më shumë kameran sesa fotografinë, ndryshe nga Enveri. Edhe ai kontraktohej shpesh. Madje, ndodhte që Ramizi të të pyeste: po ti pse ke ardhur? Kur e dinte fare mirë se si mund të futeshe në banesën e tij.

-Thatë që një pjesë e fotove kalonte në laborator. Kush i bënte montazhet e fotove të Bllokut?

-Shumë fotografi kanë kaluar në duart e mia për montazh. Montazhi, d.m.th. fshirja nga fotoja e personave të padëshirueshëm, ishte bërë diçka shumë normale, ishte pjesë e procesit të punës së një fotografi në atë kohë. Drejtori të thërriste dhe thoshte që do të heqim këta njerëz nga filan foto. Dhe ne merrnim penelin e prishnim dhe bënin prapë film që nxirrnim fotot e spastruara nga elementë të padëshirueshëm. Por më shumë montazhe kam bërë kur në krye ka qenë Ramiz Alia sesa në kohën kur drejtonte Enver Hoxha. Kjo ishte një procedurë që e bënin rusët dhe kinezët pak më pak.

-Po jashtë Bllokut, si ishte jeta përtej, e parë me syrin e aparatit fotografik?

Pasi mbaroja punën me udhëheqjen, shkoja në kooperativa dhe në uzina ku ndërtohej. Por dhe atje njeriu i parë që duhej të takoja ishte sekretari i Partisë, i cili me jepte tematikën që duhej të trajtoja dhe njerëzit me të cilët duhej të kontaktoja. Personazhet që fotografoja nuk duhej të kishin biografi të keqe. Tregoheshim të kujdesshëm në këtë drejtim. Mundohesha që në fotot e mia njerëzit të shihnin veten e tyre për t’u ndjerë optimist për jetën. Atëherë asgjë në realitet nuk të bënte optimist, por mundohesha dhe kërkoja edhe unë të sillja në foto pak bukuri njerëzore, edhe pse nuk guxoje të fotografoje një çift duke u puthur. Fotoja ime “erotike” në atë kohë ishte një çift pas një peme ku presupozohej se ishte një çift ku dukej këmba e femrës dhe e mashkullit. Ose një tjetër në fshat, një çift pranë mullarit me lopata në dorë, që të jepte përshtypjen e një momenti intim mes tyre. Në atë kohë njerëzit e pëlqenin fotografinë, sepse në një farë mënyre ishte një lloj kënaqësie njerëzore dhe dëshirë e tyre që të kishin një kujtim. Sigurisht që vihej re ndryshimi nga Blloku e përtej tij. E tregoja këtë në shtëpi, por edhe miqve të mi më të ngushtë, se më tutje nuk guxoje.

-Keni qenë dhe fotografi që keni ndjekur Nënë Terezën që nga vizita e saj e parë në Shqipëri e deri në fund. Si u prit Nënë Tereza në vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989?

-I është bërë pritje madhështore. Unë u caktova si fotografi i saj, sepse më konsideronin si më të mirin. E kam shoqëruar atë në të gjitha vizitat në Shqipëri. Kështu krijova një lloj marrëdhënie me Nënë Terezën, edhe pse ajo ishte natyrë e distancuar, dashuronte jetën, pëlqente të ndihmonte të paaftët, të sëmurët, fëmijët që i donte shumë dhe nuk mertte pjesë shumë në diskutimet dhe marrëdhëniet civile. Qëlloi dhe që shtëpinë time e bëri dhe seli të vetën. Unë Nënë Terezës jam munduar t’i qëndroj afër e të bisedoj me të. E kam shoqëruar në vizitat e saj private te shtëpia ku kishte banuar motra e saj, te varri i motrës, në shtëpinë e fëmijës, ku aty asaj i kthehej buzëqeshja. Kam shkuar më pas në selinë e saj në Romë. Ardhja e saj ishte një eveniment edhe për shtetin shqiptar. Në vizitën e saj të parë ajo i takoi të gjithë: Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën. I bënë një pritje mjaft madhështore, sepse shqiptarët kishin nevojë për dikë që të lutej për ta edhe pse fjala Zot nuk përmendej madje as prej saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›