E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Malaj: “Si do të bëhen pranimet e reja”

Rektori tregon se rezultatet e konkurseve do të dalin më 31 korrik

Jonida Tashi

Rezultatet e konkurseve të pranimit, për të gjitha degët e Akademisë së Arteve do të publikohen në ditën e fundit të muajit korrik. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht për gazetën nga rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, i cili zbardh edhe detajet se si do të procedohet për pranimet e reja të studentëve. “Në datën 31 korrik do të dalin rezultatet e konkurseve të pranimit për të gjitha degët e Akademisë. Konkurset do të fillojnë në datën 28 të po këtij muaji dhe data 31 është dita e fundit e zhvillimit të tyre. Pikërisht në këtë ditë, të gjithë kandidatët do të njihen edhe me pikët e marra në konkurs”,- sqaron rektori Malaj.
Gara
Plot 450 maturantë do të testohen për talentin që kanë nga specialistët e Akademisë së Arteve, por vetëm 140 prej tyre do të kenë mundësi që të vijojnë studimet. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Ky fakt konfirmohet edhe nga rektori i kësaj Akademie, i cili shprehet se në shpalljen e fituesve do të merren parasysh pikët e marra në konkurs si dhe nota mesatare e kandidatëve. “Në përllogaritjen e pikëve ne nuk do të marrin parasysh rezultatet e provimeve të Maturës, por vetëm notën mesatare dhe rezultatin e konkursit t pranimit”,- shpjegon më tej, Petrit Malaj. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në Akademinë e Arteve, pikësëpari, do t’u duhet të jenë të suksesshëm në konkurset e pranimit, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të programeve dhe të kenë një notë të lartë mesatare. Ashtu siç është përcaktuar edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010.
Tarifat
Ndërsa përsa i përket tarifave të studimit, që duhet të paguajnë studentët e vitit të parë, që do të shpallen fitues në një nga degët e Akademisë së Arteve, rektori Malaj pohon se nuk do të propozojë rritje të tyre. Por, megjithëse drejtuesit e Arteve deklarojnë jo rritje të tarifave, Petrit Malaj sqaron se do të jetë qeveria ajo që do të miratojë përfundimisht tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik. Vitin e kaluar, tarifa e studimit në programin e studimit “Regji Filmi” ishte 80 mijë lekë, ndërsa në të gjitha programet e tjera të studimit të Akademisë së Arteve 30 mijë lekë. Çdo person që ka mbaruar Maturën Shtetërore ka të drejtë të konkurrojë për të ndjekur studimet në Akademinë e Arteve. Por studimet në Akademinë e Arteve mund t’i ndjekin edhe studentë të huaj bazuar në marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe. Gjithashtu, studimet në Akademinë e Arteve mund t’i ndjekin edhe shtetas shqiptarë e të huaj, që kanë përfunduar studimet e larta (degë e dytë) kundrejt pagesës së tarifës së caktuar. Akademia e Arteve ka të drejtë të përcaktojë kritere të veçanta të konkurseve të pranimit për çdo specialitet. Këto kritere dhe rregulloret e konkurseve bëhen publike nga Akademia e Arteve, të paktën një vit para fillimit të pranimeve të radhës, së bashku me informacionin e nevojshëm mbi fakultetin përkatës dhe programet që ofron. Studimet në Akademinë e Arteve zhvillohen me bazë vitin akademik, i cili organizohet në semestra me së paku 20 orë mësimi, leksione, seminare e laboratorë në javë. Kriteret e pranimit të kandidatëve për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve përcaktohen në rregulloren e çdo fakulteti. Më pas, ato miratohen në Senatin e Akademisë së Arteve.

Detaje për pranimet
450 kandidatë do të marrin pjesë në konkurset e Akademisë së Arteve
140 prej tyre do të përzgjidhen për të vijuar studimet e larta
28 korrik është data kur do të fillojnë konkurset e pranimit
31 korrik është dita e fundit e konkurseve dhe e shpalljes së rezultateve
80 mijë lekë është tarifa e propozuar, për degën “Regji filmi dhe TV”
30 mijë lekë është tarifa e propozuar, për të gjitha degët e tjera të Akademisë

Kreditet sipas cikleve të studimit studimet
Në Akademinë e Arteve studimet universitare organizohen në sistemin me kohë të plotë në tre cikle të njëpasnjëshme.
Programet e ciklit të parë synojnë të japin njohuri themelore mbi metoda dhe parime artistike-shkencore në specialitete të ndryshme. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 180 kredite dhe zgjatja normale është tre vite.
Programet e ciklit të dytë synojnë të japin njohuri të thelluara mbi metoda dhe parime artistike-shkencore si dhe edukim për kërkim të pavarur artistike-shkencor. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 120 kredite dhe zgjatja normale është dy vite. Akademia e Arteve në specialitete të veçanta të përcaktuara nga rregulloret e fakulteteve, ofron programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen në jo më pak 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”, u ofrohen të diplomuarve me një diplomë të nivelit të parë. Këto programe përmbajnë 60 kredite dhe zgjatja është një vit. Programet e studimeve “Master të Nivelit të Dytë”, u ofrojnë të diplomuarve një diplomë të nivelit të dytë, edukim më të thelluar e krijues artistike-shkencor, përmbajnë jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja e tyre është minimumi një vit. Programet e doktoraturës janë programe të studimeve të ciklit të tretë me karakter plotësisht akademik që kanë në bazë kërkimin artistike-shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura.

Diplomat që lëshohen në Akademinë e Arteve
Personat që kanë mbaruar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Edhe në këtë rast, ata duhet t’i nënshtrohen konkursit për të studiuar në programin e ri. Për këtë, fakultetet duhet të paraqesin për miratim në Senat kriteret e përcaktuara prej tyre. Akademia e Arteve pajis studentët që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e një programi studimi me diplomën përkatëse, e cila është dokument zyrtar. Diplomat për ciklin e parë dhe ciklin e dytë si dhe diplomat “Master i Nivelit të Dytë” shoqërohen me suplementin e diplomës. Ky suplement hartohet në përputhje me kërkesat e hapësirës Evropiane të arsimit të lartë. Ai përshkruan në veçanti natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës, etj. Individët që kanë plotësuar detyrimet e një programi të formimit të vazhduar ose pjesë të një programi studimi, pajisen me diplomat ose certifikatat përkatëse të cilat janë dokumente zyrtare.

Në Akademinë e Arteve me përfundimin e studimeve fitohet diplomë me këto tituj:

Në Fakultetin e Muzikës:
Muzikolog
Kompozitor
Dirizhor
Pianist
Violinist
Violist
Violonçelist
Tubist
Kontrabasist
Flautist
Klarinetist
Oboist
Kornist
Fagotist
Trombist
Trombosist
Këngëtarë
Kitarist

Në Fakultetin e Artit Skenik:
Regjisor
Aktor
Skenograf-Kostumograf
Koreograf
Regjisor Filmi dhe Televizioni

Në Fakultetin e Arteve të Bukura
Piktor Grafik
Piktor Tekstili dhe Mode
Piktor Multimedia
Piktor Kavaleti
Piktor Monumental
Skulptor
Skulptor Qeramike

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›