E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët tentojnë ta degjenerojnë procesin “Gërdeci”

Gjykata detyrohet ta shtyjë në shtator vijimin e procesit gjyqësor

Laureta Rryçi

Tiranë - Mungesa në legjislacionin shqiptar i një dispozite që të përcaktojë kohëzgjatjen e një procesi, do të shfrytëzohet edhe nga mbrojtësit ligjor të dosjes “Gërdeci” për të zgjatur pambarimisht gjykimin. Mesa duket edhe ky proces do të ketë fatin e proceseve të tjera që kanë mbi 15 vite që gjykohen ende në Gjykatën e shkallës së parë. Për të dytën herë brenda pak javësh Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka shtyrë shqyrtimin e çështjes “Gërdeci”, kësaj here për të rinisur në fillim të shtatorit. Gjyqtari Ridvan Hado pas procedurës së apelit për 29 të pandehurit që zgjati më shumë se 2 orë, vendosi ta shtyjë seancën e radhës të mërkurën e 9 shtatorit, duke vendosur gjithashtu shqyrtimin e çështjes çdo të mërkurë të javëve që vjen pas saj.
Seanca
Në seancën e djeshme munguan pothuajse të gjithë të pandehurit “Vip”, midis të cilëve dhe Mihal Delijorgji e Ylli Pinari, që nuk kishte në sallë as avokatin e tij, si dhe një pjesë e mirë e avokatëve që kanë vendosur të përfaqësojnë të pandehurit. Shkaku kryesor i zvarritjeve të çështjes Gërdeci kanë qenë shpesh herë avokatët, që në këtë sezon pushimesh preferojnë këto të fundit, sesa mbrojtjen e klientëve të tyre. Në seancën e kësaj të enjteje ishin në sallë vetëm katër të pandehur, pjesa tjetër përfaqësoheshin nga avokatë, ndërkohë që disa prej tyre mungonin. Edhe Gjykata e Lartë ka shtyrë për në muajin shtator çështjen në ngarkim të ish ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Procesi
Sipas kërkesës për gjykim të 29 të pandehurit e kësaj dosjeje, në role dhe kohë të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë veprash penale, që nga “shpërdorimi i detyrës”; “shkatërrimit të pronës”; “falsifikimit të dokumenteve" dhe “vrasje me dashje, më shumë se njëherë kundër dy ose më shumë personave”. “Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por, në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundraligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec”, - shkruhet në kërkesën për gjykim që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Gjatë hetimit ka rezultuar se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit.

Box
Padia e banorëve të prekur nga tragjedia
Vetëm pak muaj më parë familjarët e tragjedisë paditën ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, Mihal Delijorgjin, Alba Demil dhe kompaninë MEICO duke kërkuar 20 milionë lekë dëmshpërblim për çdo jetë të humbur në Gërdec. Mirëpo padia e tyre nuk u bashkëngjit me këtë proces duke përfunduar në Gjykatën Civile të Tiranës. Në Gjykatën penale të Tiranës ndodhën në akuzë edhe 29 të pandehur të tjerë, me një seance që shpresohet të zhvillohet gjatë kësaj javë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka për të gjykuar për këtë çështje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padisë për dëmshpërblim bashkë me familjarët i është bashkangjitur edhe padia e shtetit që do të përfaqësohet nëpërmjet Avokatit të Shtetit. Përfaqësuesit e shtetit kanë përllogaritur dëmet financiare që shkaktoi kjo tragjedi dhe fondet që u morën nga buxheti i shtetit për t’iu kaluar të dëmtuarve.

Box
Dosja me të pandehurit
Nga 29 të pandehur të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeci. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

Shkurt

Pranga adoleshentit, vidhte pushuesit kosovarë

Kavajë– Një 18-vjeçar është arrestuar nga policia pasi u vidhte sendet personale, turistëve kosovarë. Efektivat e komisariatit të policisë së Kavajës, arrestuan dje 18-vjeçarin A. K., lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, është kapur në flagrancë duke vjedhur një telefon celularë tip “Sony Erikson”, në plazhin e Golemit, në çadrën e disa pushuesve kosovarë. Burime nga policia thanë se dyshohet se adoleshenti “shtegtonte” në zonën e plazhit të Golemit, ku gjuante shezlongët e pushuesve për të vjedhur sendet e tyre personale. Ai gjente momentin kur plazhistët shkonin për tu larë në det, për të vjedhur sendet e tyre. Kështu mesditën e djeshme ai ka shfrytëzuar këtë çast për ti marrë një telefon celular një familjeje kosovare. Por vjedhja ra në “sy” të pushuesve të tjerë të cilët lajmëruan menjëherë policinë.

Vlorë, vidhen sërish kabllot elektrike në Zvërnec

VLORË - Pas publikimeve të herë pas hershme në media të rastit flagrant të vjedhjes së kabllove elektrik në Zvërnec, të Vlorës e njëjta situatë është paraqitur sërish, duke shënuar rastin e tretë të vjedhjes së këtyre kabllove elektrike në këtë qytet brenda një kohe të shkurtër. Situata e krijuar ka lënë pa energji elektrike fshatrat e Nartës dhe të Zvërnecit si dhe pa sinjale televizive qytetin e Vlorës. Ngjarja është shënuar gjatë mesnatës duke rikthyer të njëjtin shqetësim për banorët, terr në banesat e tyre. Policia po punon për identifikimin e autorëve si dhe për arrestimin e tyre.

Policia e Durrësit kap dy të rinj me një sasi parash të falsifikuara

Durrës – Dy 19-vjeçarë janë kapur nga policia e Durrësit pasi posedonin një sasi kartëmonedhash shqiptare të falsifikuara. Sipas policisë dje u arrestua Edrit Caka 19-vjeç lindur në Berat dhe banues në lagjen nr. 13 Plazh, Durrës. Policia bëri të ditur se arrestimi i të riut u krye pasi është kapur në flagrancë bashkë me moshatarin e tij Markel Cela lindur dhe banues në Lushnje, me një sasi kartëmonedhash shqiptare të falsifikuara. Efektivat blu sekuestruan një sasi parash me prerje 500 (pesëqindëshe) me nr US234785 24 copë dhe një copë me nr UP593802 të cilat u gjendën në automjetin tip-Benz veturë me targë AM883PP pronë e të arrestuarit Edrit Caka. Ndërkohë që Caka u prangos për veprën penale të “Falsifikimit të monedhave”, bashkëpunëtori i tij do të hetohet në gjendje të lirë.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›