E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet e studimeve, Universiteti i Tiranës publikon afatet dhe dokumentet

Lista e dokumenteve që duhet të përmbajë dosja e transferimit

Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës publikon afatet dhe dokumentet, për transferimin e studimeve gjatë vitit akademik 2009-2010. Sipas burimeve zyrtare nga ky universitet, dokumentet duhet të dorëzohen në zyrën e Protokollit, duke filluar që nga data 17 gusht deri në 11 shtator 2009. Gjithashtu, drejtuesit e Universitetit të Tiranës (UT), kanë përcaktuar dokumentet që kërkohen për transferimin e studimeve nga universitete jashtë shtetit, në rrethe dhe ato private drejt këtij universiteti (sistemi me kohë të plotë).
Dokumentet
Çdo i interesuar për të transferuar studimet në Universitetin e Tiranës duhet të nisë përgatitjen e dosjes së dokumenteve që përfshin nëntë të tillë. Kështu, lista e dokumenteve që duhet të përmbajë dosja e transferimit është: Kërkesa për transferim; Përmbajtja e planit dhe e programit të studimit; Lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara pranë universitetit përkatës; Kopje e noterizuar e indeksit të notave (për universitetet që kanë indeks); Kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme; Për universitetet jashtë vendit, dokumentacioni duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri; Të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i ka lëshuar; Certifikatë e gjendjes civile me fotografi; Mandat arkëtimi 1000 lekë, i kryer në Bankën Kredins në numrin e llogarisë: 589007. Universiteti i Tiranës ofron mundësi për transferime të studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të të njëjtit cikël, brenda vetë institucionit apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon fakultetit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e tij. Ndërsa vendimin për kërkesën për transferim e merr rektori i UT-së, Dhori Kule.
Ekonomiku
Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, mbi bazën e Statutit dhe Rregullores së Universitetit pranon transferime studentësh në vite të ndërmjetme nga universitete të tjera, në të njëjtën degë e sistem dhe lejon largimin e studentëve të tij për në universitete të tjera, sipas procedurave të parashikuara në rregulloren e tij. Procedurat transferuese përfundojnë një muaj para fillimit të vitit akademik. Studentët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, të cilët, duan të transferohen në universitete të tjera të vendit, në të njëjtën degë e sistem, duhet të paraqesin kërkesën në Dekanatin e Fakultetit deri në mbarim të vitit shkollor (korrik–gusht). Dekanati shqyrton kërkesat dhe, nëse e gjykon të arsyeshme, ia përcjell ato Rektoratit të UT-së, i cili, kur merr vendimin miratues, u përcjell propozimet universiteteve përkatëse. Pas përgjigjes së pranimit nga universiteti pritës, përcillet dokumentacioni i plotë i studentit: detyrimet e shlyera me notat përkatëse, Dëftesa e shkollës së mesme, dokumentacioni i bursës etj. Për studentët e fakulteteve të universiteteve të tjera, që duan të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, propozimi vjen nga Rektorati që ka në varësi Fakultetin e Ekonomisë përcjellës. Rektorati, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, duke patur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës (deri në 5 për qind të numrit të pranimeve të reja të vitit), si dhe rezultatin e ekuivalentimit, vendos për transferimin e studentit.

Dokumentet që shoqërojnë vendimin e transferimit
Vendimi shoqërohet me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Për studentët që duan të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Komisioni i Ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që dërgon universiteti përkatës, përcakton detyrimet që do të ketë studenti, nëse pranohet në atë degë, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë. Kalimi nga sistemi me shkëputje nga puna, në sistemin pa shkëputje nga puna, bëhet me vendim të Rektoratit, mbi bazën e kërkesës së studentit të interesuar, pasi të ketë mbaruar vitin e parë ose të dytë. Kalimi nga sistemi pa shkëputje nga puna, në sistemin me shkëputje nga puna, bëhet me vendim të Rektoratit, mbi bazën e propozimit të Dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë të Tiranës, duke patur parasysh që: studenti të ketë likuiduar të gjitha detyrimet e vitit të parë ose të dytë, dhe të ketë mesataren e notave të tyre mbi 8.5. Në të dy rastet e kalimeve të përmendura më sipër, duhet të mos cenohet numri i kuotave të studentëve në kurset përkatëse të caktuara nga qeveria dhe Ministria e Arsimit.

Dokumentet që kërkohen për transferim
Dokumentet që kërkohen për transferimin e studimeve nga universitete jashtë shtetit dhe ato private, ose në rrethe për në Universitetin e Tiranës (sistemi me kohë të plotë) janë:
1. Kërkesa për transferim
2. Përmbajtja e planit dhe e programit të studimit
3. Lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara pranë universitetit përkatës
4. Kopje e noterizuar e indeksit të notave (për universitetet që kanë indeks)
5. Kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme
6. Për universitetet jashtë vendit, dokumentacioni duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri
7. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i ka lëshuar
8. Certifikatë e gjendjes civile me fotografi
9. Mandat arkëtimi 1000 lekë. Banka Kredins Nr.589007.

Shënim: Këto dokumente do të pranohen në zyrën e Protokollit, në Rektoratin e UT-së nga data 17.08.2009-11.09.2009.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›