KQZ shpall Beratin, Rama: S’njoh qeverinë
Fieri, Kolegji rrëzon PD-në
ADI SHKEMBI
Pas rrëzimit të kër-kesës së Partisë Socialiste për Qarkun e Beratit, Kolegji Zgje-dhor rrëzon edhe kërkesën e Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim për Qarkun e Fierit. Pas shqyrtimit të kërkesave, trupa e gjyqtarëve i vlerësoi kërkesat si të pabazuara në ligj dhe prova. Në këtë mënyrë ndarja e mandateve në qarkun e dytë më të madh në vend mbetet e pandryshuar, ku koalicioni i kryesuar nga PS merr nëntë mandate, koalicioni i kryesuar nga PD merr gjashtë mandate dhe koalicioni i LSI-së merr një mandat.
Seanca
Për rreth tre orë PD e PDI parashtruan kërkesat e tyre për pavlefshmëri në disa prej qendrave të votimit në Qarkun e Fierit. Përfaqësuesi i PDI-së në seancën e djeshme, Ivi Kaso, kërkoi pavlefshmëri në nëntë qendra votimi, të cilat u numëruan në KQZ pas vendimit të kësaj të fundit për t’u dërguar në Tiranë. “Vendimi i KQZ-së për KZAZ-në 18 është marrë në kundërshtim me ligjin. Pas sa i përket qendrës 3006, 389 fletë votimi ishin të grisura, por KQZ vlerësoi se vullneti i zgjedhësve është shprehur qartë. Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk është gjykuar si duhet nga KQZ. Për sa i përket qendrave 3185 dhe 3188, KZAZ kishte vendosur që ato të mos numëroheshin, ndërsa KQZ i përfshiu në tabelën përfundimtare. Procesi në këto qendra është cënuar rëndë”, tha përfaqësuesi i PDI-së. Në të njëjtën kohë edhe përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, kërkoi pavlefshmëri në qendrat e votimit 3185 dhe 3188 në komunën e Libofshës, ku KZAZ kishte marrë vendim për të mos i hapur kutitë dhe më pas ato ishin numëruar, si dhe qendrën 3006 ku ishin gjetur 389 fletë votimi të grisura. “Vendimet e KQZ të datës 13 korrik janë marrë në kundërshtim me ligjin. Në qendrën 3006 nga 389 ishin 389 fletë të grisura nga 555 që ishin gjithsej. Ato ishin të grisura në pjesën e sipërme çka është shkelje e hapur e ligjit dhe e konstatuar në mënyrë sistematike. Për sa i përket qendrave 3185 dhe 3188 nuk ka një vendim të dytë të KZAZ-së për t’i hapur dhe për t’i numëruar ato qendra, ndërkohë që ishte marrë njëherë vendimi për të mos i hapur”, tha Bylykbashi. Gjithashtu PD kërkoi shpalljen të pavlefshme të votimit në komunën Portëz, ku nuk ishte votuar. Partia Socialiste, si palë e interesuar në këtë çështje theksoi se në të gjitha qendrat që kontestojnë PD dhe PDI, procesi zgjedhor është zhvilluar sipas të gjitha rregullave. “Në qendrat 3185, 3188 dhe 3006 nuk ekziston asnjë shkelje e parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor për pavlefshmëri. Paditësit nuk mund të paraqesin një provë se cili është ndikimi në ndarjen e mandateve. Nuk ka ndikim në ndarjen e tyre. Në të 3 qendrat e votimit është zhvilluar votimi rregullisht. Për sa i përket qendrës 3196 nuk ka pasur parregullsi të pasqyruara në librin e protokollit”, tha Eno Bushi përfaqësuesi i PS-së. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e KQZ-së kërkoi rrëzimin e vendimit sipas të cilit, 3 qendrat ku nuk u votua nuk shpallen të pavlefshme, si dhe rrëzimin e kërkesës së PD-së dhe PDI-së për pavlefshmëri në rreth 10 qendra.
Vendimi
Pas rreth 3 orë debatesh, trupi i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, u tërhoq për të marrë vendim. “Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë, në bazë të nenit 158 pika 1 germa b dhe pika 3 e Kodit Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë të palës paditëse: Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim kundër palës së paditur: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me objekt: Shfuqizimin dhe kundërshtimin e vendimeve nr. 561 datë 13.07.2009 dhe 579 datë 16.07.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si të pabazuar në prova dhe ligj”, theksoi në përfundim të seancës kryetarja e trupit gjykues Entela Prifti. Gjithashtu, Kolegji rrëzoi edhe kërkesën e Partisë Konservatore për rinumërim dhe rivlerësim në disa qendra në Durrës.
Vendimet e Kolegjit Zgjedhor
• Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shpalljen të pavlefshme të tre qendrave të votimit 3185; 3188 dhe 3006 në Qarkun Fier si të pabazuar në ligj dhe prova.
• Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shpalljen të pavlefshëm të votimit në qendrat 3119; 3120 dhe 3121 ku nuk u votua në 28 qershor, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
• Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë për Drejtësi dhe Integrim për shpalljen e pavlefshëm të votimit në qendrat 3006; 3017; 3027; 3116; 3122; 3197; 3185; 3188; 2919 në Qarkun Fier, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
• Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Konservatore për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa qendra votimi në Durrës, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Gati emrat për Fierin dhe Durrësin
Pas vendimeve të marra dje nga Kolegji Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Konservatore për Qarkun e Durrësit dhe kërkesës së Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim në Qarkun e Fierit, i hapet rruga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shpallë mandatet për këto dy qarqe, që në total nxjerrin 29 deputetë. “Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme, që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore”, thuhet në pikën 1 të nenit 162 të Kodit Zgjedhor. Në Qarkun e Durrësit koalicioni i drejtuar nga PD ka fituar shtatë mandate, koalicioni i PS pesë mandate dhe koalicioni i LSI një mandat, kurse në Fier koalicioni i PS ka fituar 9 mandate, koalicioni i PD 6 dhe koalicioni i LSI 1 mandat.
Votimi 7 me 0, KQZ shpall emrat e deputetëve të Beratit
Jo më vonë se një ditë nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje vendimin për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për Qarkun e Beratit. Vendimi i miratuar nga KQZ me shtatë vota pro, pra nga të gjithë anëtarët e tij, përcakton ndarjen e 8 mandateve për Qarkun Berat: 4 për koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”, të kryesuar nga Partia Socialiste, 3 për koalicionin “Aleanca e Ndryshimit”, të drejtuar nga Partia Demokratike dhe 1 për koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”, të udhëhequr nga LSI. Sipas vendimit, KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumemërore e PS-së për Qarkun Berat: Erion Braçen, Fidel Yllin, Ermonela Velajn dhe Marko Bellon. Ndërsa kandidatë fitues nga lista shumemërore e PD-së për këtë qark janë: Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi. Kandidati fitues i koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim” i kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim u shpall Nasip Naço. Në këtë qark PS-ja pretendonte mandatin e pestë parlamentar, por pretendimet e saj u rrëzuan si nga KQZ-ja ashtu edhe nga Kolegji Zgjedhor. Berati është qarku i tetë nga 12 të tillë, ku KQZ përfundon procesin e mandatimeve, pas Vlorës, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës, Elbasanit dhe Lezhës. Me 8 deputetët e rinj të mandatuar dje nga KQZ shkon në 68 numri i të mandatuarve zyrtarisht nga Komisioni Zgjedhor, nga 140 deputetë që ka Parlamenti shqiptar.
Rama: Nuk do njohim qeverinë e re
Aristir Lumezi
Kreu socialist, Edi Rama akuzoi Kryeministrin Berisha se po ushtron presion ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe po grabit mandatin e PS në Berat. “Pushteti po mbyll çdo kanal të pavarur përmes presionit. Vendimi hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të qeverisë”, u shpreh Rama dje gjatë një konference për shtyp në selinë rozë. “Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat. Por, hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pa kërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike”, u shpreh Rama. Sipas tij, Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti. Kreu socialist, duke e konsideruar rrëzimin e kërkesës së PS-së për rivlerësimin e rreth 3 mijë fletëve të pavlefshme të votimit në Berat si jetike për procesin e zgjedhjeve, u shpreh se kryetari i maxhorancës po përsërit skenarin e 1996. “Dje, Sali Berisha grabiti përkohësisht një mandat të Partisë Socialiste në Berat, por përcaktoi verbërisht edhe koston shumë të lartë politike që duhet të paguajë ai vetë dhe qeveria shtatanike, që do të dalë nga këto zgjedhje, të cilat ndryshojnë prej atyre të vitit 1996 vetëm në formë, por jo në thelb. Kjo e vërtetë e hidhur këtë herë nuk doli në shesh qysh atë ditë si në vitin 1996, nuk ka dalë e gjitha në shesh ende sot, por nuk do të vonojë të dalë në shesh për turpin e madh të së njëjtit njeri, që për pushtetin personal sakrifikon interesat e vendit e të një populli të tërë, dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në grabitjen e këtyre zgjedhjeve, apo në ligjërimin e kësaj grabitje, qoftë duke dhënë vendime të padrejta, qoftë duke ndërtuar alibi të pavërteta”, u shpreh Rama. Por për kryetarin e selisë rozë, një veprim i tillë nuk mund të kalojë në heshtje, prandaj socialistët do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për ta kundërshtuar këtë vendim të Kolegjit Zgjedhor. “Sot, është e sigurt që Partia Socialiste do t’i kundërvihet këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues, pa asnjë rezervë, pa asnjë kompromis, pa asnjë pauzë. Sot, është e sigurt se Partia Socialiste do të angazhohet deri në fund për zbardhjen medoemos të krimit elektoral të 28 qershorit”, u shpreh Rama.
Patozi: Rama të ndalë sulmet ndaj administratës zgjedhore
Partia Demokratike ka reaguar dje pas akuzave që i bëri kreu i PS-së, Edi Rama, trupës së Kolegjit Zgjedhor, e cila dy ditë më parë rrëzoi një kërkesë të kësaj force politike për rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun e Beratit. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, i ka konsideruar sulmet ndaj Kolegjit Zgjedhor, formë të pastër presioni mbi institucionet e pavarura të shtetit për të ndryshuar me dhunë rezultatin e zgjedhjeve. “Partia Demokratike dënon me forcë sulmet e paprincipta të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi Kolegjin Zgjedhor, duke i konsideruar ato si formë e pastër presioni mbi institucionet e pavarura të shtetit për të ndryshuar me dhunë rezultatin e zgjedhjeve”, tha Patozi. Ai konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e Partisë Demokratike për të respektuar të gjitha vendimet që do të japë Kolegji Zgjedhor. “Partia Demokratike informon publikun dhe çdo qytetar të interesuar shqiptar se do ta priste me kënaqësi çdo vendim për rinumërim të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, pasi ka bindjen absolute se një gjë e tillë veçse mund t’i shtonte vota rezultatit të saj fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. Por nga ana tjetër, ajo është e vendosur të respektojë ligjin dhe çdo vendim të bazuar në Kodin Elektoral, si dhe sovranitetin e pacenueshëm të Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh Patozi. Nënkryetari i PD-së i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste që të heqë dorë nga sulmet dhe presioni mbi sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, duke pranuar me qetësi dhe në mënyrë të qytetëruar, siç tha ai, vendimet e tyre të bazuara në ligjet e vendit. Për nënkryetarin e PD-së çdo përpjekje për të akuzuar dhe sulmuar gjithkënd, pas rezultatit të qartë të këtyre zgjedhjeve, nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dëshpëruar e Ramës për të shmangur dhe fshehur përgjegjësinë e humbjes.