Petrit Çakrri: Më lironi ose do vetëflijohem
Petrit Çakrri, i arrestuar pas refuzimit të kthimit në qelitë e burgut në mbarim të lejes 5-ditore, deklaron publikisht se do kryejë akt vetëflijimi nëse nuk lirohet. Sipas tij, ka përfunduar dënimin e dhënë nga gjykata dhe nuk ka pse të mbahet më në burg, aq më tepër për t’u ridërguar në burgun e Shën Kollit nga dhe ku u largua. Përmes një telefonate në televizionin “News 24”, Petrit Çakrri bëri apel nga burgu 302 që të lirohet sa më parë sepse mbahet padrejtësisht. “Unë e kam mbaruar dënimin, po më mbanin në burg kot. Dua të lirohem, burgimi im është i padrejtë, ose përndryshe do të vetëflijohem”, - deklaroi Çakrri. Më tej, në telefonatën e tij, i riarrestuari shprehet se ndenji për disa muaj jashtë Shqipërisë dhe u kthye për të rregulluar punët me drejtësinë dy ditë para arrestimit. Madje, sipas tij, kishte pasur kontakte të shpeshta me familjarët e tij për të rregulluar problemet që ka me drejtësinë dhe për këtë arsye, vendosi të rikthehej në atdhe. “U riktheva në shtëpi dy ditë përpara se të më arrestonte policia shqiptare. Dhe këtë veprim e bëra pasi takova një mik që më garantoi se do të mundësonte negocimin me drejtësinë, për të mbyllur dënimin tim”, - u shpreh Çakrri, i dënuar 6 vjet burg për vjedhje dhe i ridënuar në kushtet e burgut me 6 vjet burg për mashtrimin e shokut të qelisë. I pyetur lidhur me një dënim të mundshëm të tij për moskthimin në burg dhe thyerjen e lejes, Çakrri është shprehur se nuk ka thyer asnjë leje, ai e kishte përfunduar kohën e burgut. Burime zyrtare nga burgu 302 bëjnë të ditur se Çakrri vazhdon të qëndrojë në ambientet e këtij paraburgimi, ndërkohë që telefonata i është bërë televizionit nga telefoni që u lihet të dënuarve për të komunikuar me familjet. Të drejtën e një telefonate me familjen, sipas burimeve, Çakrri e ka shfrytëzuar për të bërë apel publik në televizion lidhur me mbajtjen e tij në burg. Tashmë i dënuari Petrit Çakrri pritet të transferohet në burgun e Shën Kollit, aty dhe nga ku u largua, ndërkohë që rrezikon edhe pesë vjet të tjera burgim për shkak se ka shkelur ligjin duke u arratisur, ndërkohë që sipas Drejtorisë së Burgjeve, kishte edhe një vit e katër muaj burg për të bërë. Ky i dënuar u arrestua katër ditë më parë në një lokal pranë qendrës së kryeqytetit. Ai ka qenë duke pirë kafe me një mik të tijin, ndërkohë që i janë vënë prangat nga blutë e kryeqytetit, të cilët e kishin atë në survejim. Petrit Çakrri shfrytëzoi lejen e dhënë në mirëbesim nga drejtuesit e burgut të Shën Kollit, duke u arratisur, siç deklaroi edhe vetë ai, drejt Malit të Zi. 38-vjeçari është një nga dëshmitarët në gjyqin e vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Arratia e tij u bë publike, pasi kaloi ora për t’u kthyer sërish në ambientet e burgut, ku pritej të përfundonte masën e ngelur të dënimit prej 1 viti e 4 muaj burg. Por, arratinë do e konfirmonte publikisht edhe vetë Çakrri përmes një interviste televizive me telefon, ku do të deklaronte arsyet e ndërmarrjes së një hapi të tillë, vendin ku ndodhej dhe çfarë synonte të arrinte. Sipas deklarimeve të tij, Çakrri deklaronte se i ka dhënë liri vetes, pasi drejtësia nuk po e bënte, duke e mbajtur në burg edhe pse kishte mbaruar dënimin e tij. Çakrri deklaroi se e mori vendimin e arratisë, pasi gjykata nuk pranoi dy ditë më parë kërkesën e tij për ndryshim mase arresti.
Mashtrimi
Petrit Çakrri e mori dënimin e dytë, përkatësisht 6 vjet burg për veprën penale të mashtrimit në burgun 302, pasi përmes kunatit të tij, Besnik Sula, i mori 20 mijë USD të dënuarit me 20 vjet burg Petrit Kallashi, me premtimin se do ta nxirrte nga burgu. Sipas burimeve zyrtare të burgut, mësohet se i ka grabitur me anë të mashtrimit 20 mijë dollarë të dënuarit me 20 vjet heqje lirie, Fatmir Kallashit. Ky i fundit, sipas të njëjtave burimeve, ka qenë në të njëjtën dhomë me Petrit Çakrrin, në burgun “Mine Peza” (302). Duke luajtur brenda qelisë dy të pandehurit, Çakrri dhe Kallashi, në bisedë e sipër ai i ka premtuar se do ta lironte nga burgu Kallashin, nëse do të paguante shumën prej 20 mijë dollarësh. Fatmir Kallashi ka pranuar të bashkëpunojë me Çakrrin, në këmbim të lirisë së shumëkërkuar. Ai i ka thënë bashkëshortes të dorëzojë tek Besnik Sulaj, kunati i Çakrrit, 20 mijë dollarë e më pas të presë rezultatin e bisedimeve me prokurorët ose gjyqtarët.