Shtohen përfituesit e ndihmës ekonomike, gati drafti
Projektligji që shton kategoritë e përfituesve të ndihmës ekonomike, është tashmë gati dhe pritet të kalojë në Këshillin e Ministrave e më pas në Kuvend për t`u miratuar. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se me ndryshimet e pritshme do të përfitojnë qindra familje, të cilat deri tani nuk merrnin ndihmë ekonomike. Kjo, në bazë të një vendimi të Kryeministrit Berisha për të hequr kriterin ekonomik, si kriter i vetëm i marrjes së ndihmës ekonomike.
Drafti
Drafti tashmë është përgatitur dhe pritet të kalojë për miratim në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave. Ky projektvendim i propozuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka qenë rezultat i punës së një grupi ndërministror të ngritur me nismën e Kryeministrit Berisha. Ndryshimet që pritet të kryhen me anë të këtij vendimi, kanë të bëjnë më së shumti me rritjen e gamës së përfituesve të ndihmës ekonomike.
Në një intervistë të dhënë për “standard”, pak ditë më parë, ministri i Punës, z. Anastas Duro, kishte deklaruar se nuk do të cenohet skema, por do të shtohen përfituesit. “Ndryshimet e propozuara nuk e cenojnë skemën, por zgjerojnë kategoritë e përfituesve, kjo, pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë”, – kishte thënë Duro.
Ndryshimet
Ndryshimet që sjell ky projektvendim, kanë të bëjë me konceptimin e ndihmës ekonomike. Kështu, kriteri i të pasurit pak të ardhura, nuk do të jetë i vetmi që do të përdoret. “Këto kategori do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton”, – kishte deklaruar Duro.
Gjithashtu, pavarësisht të ardhurave që do të ketë një familje, që ka si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune; si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtaret e familjes së tij janë mbi dhe nën moshe pune, të cilët nuk përfitojnë pension; do të marrin ndihmë ekonomike. Kjo risi pritet që të propozohet në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave e më pas të kalojë në Kuvend për t`u miratuar.