E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatë; Shtyhet seanca e caktuar për ankesën e Damir Fazlliç



Gjykata e Tiranës shtyu dje seancën e caktuar për ditën e djeshme lidhur me kërkesën e avokatëve të Damir Fazlliç, të cilët kundërshtojnë shtyrjen e hetimeve për një muaj. Gjyqtari Gjin Gjoni e ka shtyrë për javën e ardhshme seancën e radhës, konkretisht për më 11 maj, pasi shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e njërit prej avokatëve, Ibrahim Lahit, i cili merrte pjesë në gjykimin e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Lartë. Në përputhje me procedurat zyrtare, dje ishte parashikuar nga gjyqtari Gjin Gjoni që të merrej në shqyrtim kërkesa penale e Fazlliç, i cili kërkon ndërprerjen e hetimeve me argumentimin se po zgjaten pa asnjë shkak dhe jashtë çdo afati ligjor. Biznesmeni Fazlliç u vu nën hetim 7 muaj më parë, pasi dyshohej për pastrim parash. Ndërkaq lidhur me këtë çështje, së fundmi, prokuroria i ka kërkuar informacion shtesë Ministrisë së Drejtësisë për fatin e letër-porosive. "Kemi kërkuar informacion për letër-porositë që kemi dërguar në Angli, Qipro, Bosnje, Zvicër dhe Kroaci, mbi bazën e të cilave do të vendoset për fatin e dosjes", - kanë thënë burime nga prokuroria, që shtojnë se mbi bazën e informacioneve të ardhura nga këto vende, do të vendoset dhe për fatin e dosjes hetimore ndaj biznesmenit serbo-boshnjak.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›