Petro Koçi jep dorëheqjen nga PSV 91 për shkak të humbjes në zgjedhje
Petro Koçi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 ka dhënë dorëheqjen pas rezultateve të dobëta të partisë që drejton në zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat nuk siguroi asnjë mandat deputeti. Burime nga Kryesia e PSV ‘91 pohojnë se nuk është pranuar dorëheqja e paraqitur nga kryetari i partisë Petro Koçi. Rezultatet në zgjedhjet e 28 qershorit sjellin dorëheqjen e parë të një kryetari partie. Partia e drejtuar nga Koçi, pjesë e koalicionit “Aleanca socialiste për integrim”, nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti për në Parlamentin e ri. Forumet drejtuese të partisë së tij kanë analizuar situatën dhe dorëheqjen e kreut të PSV ‘91. Burime nga Kryesia e PSV ‘91 pohojnë se nuk është pranuar dorëheqja e Petro Koçit. Në një prononcim për mediat Koçi ka deklaruar se edhe Rama duhet të japë dorëheqjen nga PS për shkak të rezultatit në zgjedhje dhe PS duhet të punojë për një bashkim të të gjithë socialistëve. “Në kushtet e krijuara pas zgjedhjeve, në bazë dhe të statutit dhe të angazhimeve parimore gjatë fushatës, mendoj që si zoti Rama, si zoti Koçi, duhet të japin dorëheqjen për shkak të rezultatit. Kështu që, mendoj se shanset për ribashkim të të gjithë socialistëve do të varet nga sistemi me të cilin funksionon sidomos PS-ja”, - është shprehur Koçi.
Ish-të përndjekurit kërkojnë përfaqësim në qeveri
Edhe shoqatat e ish-të përndjekurve politikë kërkojnë të kenë përfaqësim në qeverinë e re të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, u shpreh dje se kjo shoqatë përfaqësohet nga 3 deputetë në Parlamentin e ri dhe është normale që të ketë përfaqësim në qeverinë e re. Ish-të përndjekurit politikë vazhdojnë të këmbëngulin për më tepër vëmendje nga qeveria ndaj shtresës së tyre. Ata kërkojnë të përfitojnë dëmshpërblimin financiar për vitet e burgut që kanë bërë gjatë regjimit komunist për shkak të bindjeve të ndryshme politike.
8 Korrik 2009