Mediu: “Akuzat e Topallit ndaj PR-së dëmtuan rezultatin e koalicionit”
Kreu i Partisë Republikane bën presion për poste në qeveri. “I kemi dhënë 4 mandate deputetësh Partisë Demokratike”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka akuzuar nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, për dëmtim të rezultatit të koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë një konference për shtyp gjatë paradites së djeshme, kreu i PR-së, Mediu, tha se thirrjet e drejtuesve të PD-së kundër PR-së ndikuan negativisht në rezultatin e kësaj partie në zgjedhje, por edhe të koalicionit në tërësi. Mediu gjithashtu tha se PR-ja është forcë e dytë qeverisëse për shkak se ka ndihmuar PD-në të fitojë 4 mandate deputetësh në qarqe të ndryshme të vendit. Megjithëse republikanët do të përfaqësohen vetëm me një deputet në Kuvendin e ri, Mediu tha se kjo parti do të jetë pjesë e qeverisë.
Akuzat
“Me përjashtim të zotit Berisha ishin të paprecedentë dhe të turpshme thirrjet publike të drejtuesve të PD-së drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane apo thirrjet se vota për PR-në është votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Kjo jo vetëm ishte një gënjeshtër e madhe, por dhe mosrespektim i marrëveshjes, e cila kishte përcaktuar qartë detyrimet e secilës palë. Ky dëm që iu bë Partisë Republikane dhe aleatëve të tjerë të koalicionit ishte sa i dëmshëm për to, edhe për vetë rezultatin e koalicionit”, - është shprehur Mediu. Në mes të fushatës zgjedhore, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, por edhe deputetë të tjerë të kësaj partie, kanë bërë thirrje në takimet elektorale që të mos votojnë për PR-në. Madje Topalli e ka cilësuar Partinë Republikane si një parti mafiozësh e kontrabandistësh, pavarësisht se PR është cilësuar si një nga aleatet kryesore të PD-së.
Ndërkaq, Mediu ka marrë në analizë rezultatin e PR-së duke bërë të ditur se kjo parti nuk është në Parlament për shkak të “Dushkut”. “Më duhet t’u kthej përgjigje atyre politikanëve dhe analistëve që akuzonin se kemi jetuar në politikë nëpërmjet Dushkut, se Partia Republikane jo vetëm ka garantuar pjesëmarrjen në Kuvend nëpërmjet votës republikane, por edhe i ka dhënë Partisë Demokratike fitoren e rreth 4 deputetëve në qarqe të ndryshme dhe partitë e koalicionit së bashku i kanë dhënë më tepër. Ky “Dushk” i ligjit dhe këto vota të partive të vogla janë marrë nga partitë e mëdha. Ne jemi në Parlament dhe do të jemi edhe në të ardhmen, ndryshe nga shumë parti të tjera që janë jashtë Parlamentit”, - është shprehur Mediu, ndërsa ka shtuar se PR do të vazhdojë betejën e saj ligjore për të rimarrë edhe mandatin e qarkut të Beratit.
Kodi
Kreu i Partisë Republikane ka theksuar dje se PR do të jetë pjesë e qeverisë së re të kryeministrit Berisha. “Partia Republikane do të jetë pjesë në qeverisjen e ardhme sipas kontributeve që ajo ka dhënë në Aleancën për Ndryshim, duke iu bashkuar zhvillimit të mëtejshëm të reformave dhe proceseve integruese të vendit”, - është shprehur Mediu. Ndërsa ka vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit Mediu ka vënë theksin në nevojën për ndryshime që ka Kodi Zgjedhor. Ai tha se do të kërkojë në Kuvend ndryshimin e Kodit Zgjedhor. “Ky kod ka nevojë për ndryshime, dhe ne do të jemi pjesë e kërkesës dhe punës për ndryshimin e tij për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe përfaqësim të drejtë të vullnetit të popullit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë”, - është shprehur Mediu.
Përsa i përket koalicionit me LSI-në, kreu i PR-së u shpreh se ky koalicion u shërben interesit të vendit dhe proceseve integruese. “Prej kohësh ne si politikë kemi përcaktuar qëllime të përbashkëta, të cilat kanë pasur iniciativa të përbashkëta në favor të interesave kombëtare. Koha kërkon që ne të ngrihemi mbi ndasitë tona politike dhe të punojmë për një qeveri stabël, që u shërben interesave të vendit, ndaj dhe kontributi politik dhe qeverisës i LSI-së së bashku me Aleancën e Ndryshimit, është shumë i rëndësishëm”, - është shprehur Mediu.
8 Korrik 2009