Beqja denoncon manipulimet e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja, ka zbuluar gjatë ditës së djeshme me anë të një konference për shtyp të gjitha të dhënat që nxjerrin në pah cenimin e standardeve dhe manipulimet që i janë bërë procesit zgjedhor të 28 qershorit në qarkun e Shkodrës. Sipas Beqjes, të gjitha këto kontestime janë prova më e qartë se procesi zgjedhor ka qenë jashtë standardeve të kërkuara dhe në të njëjtën kohë ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin e lirë të shqiptarëve. Deputeti socialist ka renditur një sërë shkeljesh të rënda të procesit zgjedhor. Sipas tij, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, që kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, të cilët, sipas tij, u kanë ushtruar presion zgjedhësve. Beqja tha gjithashtu se në KZAZ-në Nr. 40 është zhvendosur vendndodhja e Qendrës së Votimit Nr. 267, duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinin se ku të votonin. Gjithashtu ai ka theksuar se në të paktën katër qendra votimi janë me dhjetëra zgjedhësit të cilëve nuk u është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor. Beqja ka deklaruar se situata më alarmante është në KZAZ-në Nr. 42. Sipas tij, në KZAZ-në Nr. 42 rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës. Deputeti socialist ka përmendur disa kuti votimi, ku komisionerët e kanë renditur Partinë Socialiste me zero vota, ose me një votë të fituar. Beqja përmendi gjithashtu se në Qendrën e Votimit Nr. 247 të gjitha fletët e votimit duhet të shpallen të pavlefshme, pasi është parë se përmasat e tyre kanë qenë më të vogla se përmasa ligjore e miratuara nga KQZ-ja.
Denoncimet e bëra nga Partia Socialiste në qarkun e Shkodrës
Në Qendrën e Votimit Nr. 285 janë 97 fletë votimi, të cilave nuk u është hequr kundër-fleta.
Në Qendrën e Votimit Nr. 313 janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër.
Në qendrat e votimit 317 dhe 319 janë përdorur vula me dy ngjyra të ndryshme.
Në Qendrën e Votimit Nr. 186, rezultati për Partinë Socialiste shënon 0 vota.
Në Qendrën e Votimit Nr. 187, Partia Socialiste ka marrë sërish 0 vota.
Në Qendrën e Votimit Nr. 190 për Partinë Socialiste janë 4 vota nga 120 të vlefshme.
Në Qendrën e Votimit Nr. 191, Partia Socialiste ka fituar vetëm 2 vota.
Në Qendrën e Votimit Nr. 38 për Partinë Socialiste janë 0 vota nga 415 të vlefshme.
Në Qendrën e Votimit Nr. 046, Partisë Socialiste i është numëruar vetëm 1 votë.
8 Korrik 2009