E Diel, 1 Nëntor 2026

Grori, Strasburgu heq burgun përjetë

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Strasburgut detyron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë me 15 mijë euro Arben Grorin, pas shkeljeve në proceset gjyqësore të zhvilluara ndaj tij në Tiranë.I arrestuari me bujë në vitin 2001, duke u dënuar dy herë nga drejtësia shqiptare, me burg përjetë dhe 15 vjet burg, 38-vjeçari nga Tirana ka arritur t’ia hedhë dënimit italian në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Vendimi për të është shpallur dje në orën 11:00 të paradites, kur dhe është publikuar online në internet në ueb-siten zyrtar të këtij institucioni. Gjykata pas shqyrtimit të çështjes për rreth 5 vjet, vendosi të pranonte kërkesat e të burgosurit Grori, për shkelje të Konventës Evropiane përsa i përket dënimit të tij pa ligj, shkeljes së të Drejtave të Njeriut, mosrespektimi i të drejtave mjekësore dhe mbajtja padrejtësisht në paraburgim, nga 15 maji 2002, deri më 29 dhjetor 2003. Ndërkohë për të gjitha këto shkelje, Gjykata e Strasburgut ka ngarkuar me përgjegjësi shtetin shqiptar, të cilit i duhet të dëmshpërblejë me 15 mijë euro të burgosurin Grori. Bëhet fjalë vetëm për dënimin e përjetshëm që i ka dhënë Gjykata Penale e Apelit të Milanos më 2 shkurt 2001, pasi e kishte gjetur fajtor për vrasjen në një spital në këtë qytet, të ish-të fortit të Tiranës, Naim Zyberi, në gusht të vitit 1997. Ky dënim, pas shumë ecejakesh nëpër Shkallët e Gjyqësorit Shqiptar, përfundimisht në vitin 2004 u njoh nga autoritetet shqiptare të drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që i burgosuri dhe avokati i tij Ardian Kasapi, gjatë gjithë kohës kanë pretenduar se nuk kishte një ligj të zbatueshëm që t’i jepte tagra drejtësisë shqiptare për të njohur një dënim të dhënë nga drejtësia italiane.
Shkeljet
Gjykata e Strasburgut është shprehur në vendim se mban parasysh faktin se në procesin për dënimin e 38-vjeçarit, Arben Grori, ka shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane, i cili ka lidhje me trajtimin mjekësor të papërshtatshëm që duhet t’i sigurohej të burgosurit gjatë arrestimit të tij. Më tej, Gjykata Evropiane pohon se ka shkelje të nenit 5/1 të Konventës, në lidhje me paraburgimin e Grorit nga 15 maji 2002, deri më 29 dhjetor 2003. Në pikën tjetër të vendimit, Gjykata argumenton se nuk ka qenë e domosdoshme për të shqyrtuar veçmas nëse ka pasur një shkelje të nenit 6/1 të Konventës, për sa i përket procedurës lidhur me vlefshmërinë dhe zbatimit në Shqipëri të një dënimi të dhënë ndaj Grorit, nga gjykimi në Gjykatën Penale të Apelit në Milan të Italisë. Po kështu më tej gjykata pohon se ka pasur shkelje edhe të nenit 34 të Konventës për sa i përket të drejtës së ankimit në Strasburg. E thënë ndryshe, përfaqësuesja e shtetit shqiptar në Gjykatën e Evropiane ka kërkuar rrëzimin e ankimit të Grorit. Në fund të vendimit, gjykata pohon se: “shteti shqiptar është përgjegjës për pagimin e aplikantit, brenda tre muajve nga data në të cilën është bërë gjykimi përfundimtar në përputhje me Nenin 44/2 të Konventës, tetë mijë euro në lidhje me dëmin jopasuror dhe shtatë mijë euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet. Këto të konvertohen në monedhën e shtetit të anketuar në normën e aplikueshme në datën e zgjidhjes, plus çdo taksë që mund të vihet në ngarkim”. Sipas gjykatës, nëse skadon afati tremujor i vendosur nga ky institucion, shteti ka detyrimin për të paguar mbi shumën interesa llogaritur të barabartë me normën e huadhënies margjinale të Bankës Qendrore Evropiane gjatë kësaj periudhe plus tre për qind më tepër.

Strasburgu: Grori nuk u lejua të mjekohej 

Në vendimin e djeshëm, Strasbugu pohon se Arben Grorit i janë shkelur të drejtat për t’u mjekuar si pasojë e një  sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuan dhe që përkeqësohet nga kushtet e qelisë. Sipas Strasburgut më 24 shtator 2003 dhe 13 janar e 16 shkurt 2004, në kuadrin e në keqësimin e shëndetit të Grorit, avokati dhe babai i tij i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të burgut lejimin për t’u ekzaminuar nga mjekët e specializuar. Në gusht 2004, skanimi me rezonancë magnetike nxjerr se ai vuan nga sklerozë multiple. Mjekët kanë pohuar se nëse sëmundja nuk trajtohej shpejt mund të shkaktonte gjendje shoku, dëmtim të organeve, aftësi të kufizuara të përhershme apo edhe vdekjen. Pas shumë ndërhyrjesh, përfshi edhe interesimin direkt të Strasburgut Grori u përcoll në Tiranë për t’u mjekuar por protesta e ish-agjentes së qeverisë shqiptare në Strasburg bëri që ai të rikthehej me të shpejt sërish në burg, duke mos u ekzaminuar dhe mjekuar. Një arsye kjo për Strasburgun që të aplikonte gjobën ndaj shtetit shqiptar.                                                                       f.m.

Arben Grori në qeli për trafik droge e njohjen e dënimit italian

TIRANE - Emri i Arben Grorit, aktualisht 38-vjeçar, do të bëhej i njohur për publikun kryeqytetas në vitin 2001, kur u arrestua pas një operacioni të bujshëm policor. Më 6 tetor 1997, autoritetet italiane lëshojnë urdhër-arresti ndaj tij nën akuzën e vrasjes me paramendim në një spital në Milano të Naim Zyberit, ish-të fortit të Tiranës, i cili kishte vrarë vëllain e Grorit. Më 2 shkurt 2001, Grori dënohet në mungesë me burgim të përjetshëm nga Apeli Penal i Milanos. Më 16 shkurt 2001, italianët nxjerrin një tjetër urdhër-arresti, për akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, kohë në të cilën Grori menaxhonte një biznes të ligjshëm dhe banonte në Shqipëri. Më 29 prill 2001 transmetohen në Tiranë nëpërmjet Interpolit dy urdhër-arrestet ndaj Grorit, për të cilët kryepolici i atëhershëm i Tiranës urdhëron të hyjnë në fuqi menjëherë. Më 30 prill 2001, Grori arrestohet ndërsa Interpol Romës i dërgohet një faks nga Tirana ku i kërkohet fillimi i procedurës penale kundër tij për krimet e kryera në territorin italian. Më 1 maj 2001 vendoset ndaj Grorit 15 ditë paraburgim. Më 12 maj, Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën për lirimin e tij ndërsa prokurori i komunikoi se akuza ndaj tij ishte pikërisht pjesëmarrja në organizatën e trafikimit të drogës. Më 15 maj ndaj Grorit vendoset “burg pa afat”, masë që lihet në fuqi nga Gjykata e Lartë më 4 qershor. Pas kërkesave të shumta nga Tirana, italianët dërguan vitin tjetër dosjen “Grori”. Më 29 dhjetor 2003, Fakti i Tiranës e dënoi me 19 vjet burg, Apeli e uli në 17 vjet burg më 25 qershor 2004, dhe Gjykata e Lartë më 23 qershor 2006, pasi ndryshoi kualifikimin e akuzës e dënoi 15 vjet burg, të cilin aktualisht po e vuan në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin. Ndërkohë më 21 shkurt 2002, autoritetet italiane kërkojnë nga Tirana njohjen e dënimit të përjetshëm për të dhënë nga Apeli Penal i Milanos. Nga Tirana njoftohen se nuk mund të kërkojnë një gjë të tillë pasi shtetet nuk ishin palë e ndonjë marrëveshje, e cila në fakt u ratifikua më vonë në vitet 2003 dhe 2004 nga Parlamentet respektive. Po ndryshe nga legjislacioni në fuqi më 15 maj 2002, Fakti i Tiranës e njohu dënimin e përjetshëm. Apeli e rrëzoi këtë dënim, ndërsa më 30 janar 2003 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, e ktheu çështjen në Fakt ku më 20 maj 2003 u vendos pranimi i dënimit italian, i cili mbeti më pas në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, derisa dje u rrëzua nga Strasburgu.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›