E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezull shumica e listës, PS vështirësi me kandidatët

SHKRUAN: Fejzi Braushi 28-03-2011 13:37

Partia Socialiste nuk ka mundur dot dje që të mbyllë në mënyrë përfundimtare listat e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe komunash. Kryesia e kësaj force në gati tri orë mbledhje e ka patur të pamundur që t’i japë zgjidhje një sërë dilemash që shoqërojnë një numër jo të vogël njësish vendore, ku ka patur më shumë se një kandidat. Për rrjedhojë, mbledhja është shtyrë për ditën e sotme. Ndërkohë që shtyrja e mbledhjes duket se ka të bëjë dhe me një strategji të selisë rozë për të mos shpallur listën e kandidatëve zyrtarë deri në momentin e skadimit të afatit për regjistrimin e listave të kandidatëve pranë KZAZ-ve, në mënyrë që të shmangë çdo kalim të ndonjë emri të pakënaqur në listat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Kryesia

Partia Socialiste ka mbledhur dje rreth orës 18 të pasdites mbledhjen e kryesisë, për të vendosur mbi listat e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore në të gjithë vendin, në kuadër të zgjedhjeve të 8 Majit. Ashtu siç edhe pritej, kryesia e ka patur të vështirë t’i japë zgjidhje kandidimeve në një sërë njësish vendore, ku nga strukturat vendore kanë ardhur më shumë se një kandidat. Për rrjedhojë, mbledhja mësohet se është shoqëruar me debate të ashpra jo vetëm mes anëtarëve të kryesisë, por edhe me deputetët e ZAZ-ve përkatëse, të cilët ishin thirrur dje në PS për t’u konsultuar gjatë diskutimit të çdo njësie. Kështu, mësohet se shqetësimi kryesor ka patur lidhje pikërisht me kandidaturat alternative mes vetë socialistëve. Kryesia është përballur me qëndrime të ndryshme dhe për të mos krijuar një përçarje ka vendosur që t’i shqyrtojë dhe një herë këto zona të nxehta ditën e sotme. Njësia më problematike është Bashkia e Beratit, ku socialistët kanë dy kandidatura, atë të kreut aktual Fadil Nasufi, i cili mbështetet nga deputeti Erion Braçe dhe Selman Hodo, i cili mbështetet nga deputeti Fidel Ylli. E njëjta situatë paraqitet edhe në komunën Otllak të këtij rrethi, ku dy kandidatët Dalip Kanaçi dhe Refat Harizi mbështeten respektivisht nga Braçe dhe Ylli. Gjithashtu, pa zgjidhje ka mbetur edhe Bashkia Kuçovë dhe ajo e Urës Vajgurore. Probleme ka shfaqur edhe Bashkia e Gjirokastrës, ku Flamur Bime ende nuk ka mundur rivalitetin e forcave aleate. Problematike janë shfaqur edhe një sërë njësish të tjera, si Bashkia Sarandë, Librazhd, Gramsh, Kavajë, Kukës etj., pa përmendur këtu një numër të madh komunash. Ndërkohë që kryesisë nuk i është dashur të përballet vetëm me problematikën që shfaqin vetë socialistët me kandidaturat e tyre, por edhe me pretendimet e aleatëve, të cilat kanë qenë jo të pakta. Kështu, thuajse për të gjithë deputetët e zonave të veriut, PDK e Nard Ndokës është kthyer në një shqetësim real, pasi ka shfaqur pretendime jo të pakta. Madje, siç kanë bërë të ditur dje disa nga këta deputetë, PDK po u del në ëndërr me njësitë vendore që kërkon si zona të lira. Dhe nuk janë pak, pasi, nga sa mësohet, Ndoka ka mundur të marrë Bashkinë Shëngjin, Velipojë, Ulzë, Klos apo dhe komunën Kthellë. Por jo vetëm PDK është bërë problem për deputetët socialistë, pasi edhe aleatët e tjerrë, si PSD dhe PDS, kanë shfaqur jo pak pretendime për njësi të tilla si Librazhd, Gjirokastër, Gramsh, Roskovec etj.

Rama

Problemet e hasura gjatë mbledhjes së kryesisë i ka konfirmuar më pas edhe vetë kryetari i PS-së gjatë një komunikimi të posaçëm me mediat. “Kemi pasur vështirësi për shkak se në një numër të konsiderueshëm njësish vendore kemi më shumë se një kandidat, që përfaqëson ashtu siç dëshirojmë interesat, pëlqyeshmërinë dhe kërkesat e komunitetit dhe të koalicionit. Kemi zona të tëra në të cilat është realisht një zgjedhje e vështirë mes kandidatësh”, - tha Rama, ndërsa u ka bërë thirrje gjithë socialistëve që, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë në këtë fazë për kandidatë të ndryshëm, pas vendimmarrjes së kryesisë të bashkohen në betejën elektorale të opozitës. Duke bërë të ditur se si rrjedhojë e problemeve të hasura lista përfundimtare do të zyrtarizohet sot, ka theksuar se për një sërë njësish vendore PS ka vendosur rikandidimin e krerëve aktualë të pushtetit vendor. “Jemi në procesin e rikonfirmimit të një numri të konsiderueshëm të përfaqësuesve vendorë të PS dhe të opozitës”, - tha Rama, ndërsa ka përmendur rikonfirmimin e Vangjush Dakos në Durrës, Qazim Sejdinit në Elbasan, Baftjar Zeqos në Fier, Niko Peleshit në Korçë, Shpëtim Gjikës në Vlorë, si dhe dy deputetët Gjok Jaku në Lezhë dhe Fatos Tushe në Lushnjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›