E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa: Zgjedhjet në rrezik, probleme me listat, KZAZ dhe fondet publike

Sekretari i PS-së për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, është shprehur dje se zgjedhjet janë në rrezik, duke renditur tre elementë kyç që, sipas tij, janë dhe problemet më themelore që mbart organizimi i këtyre zgjedhjeve, që sipas Xhafës i dedikohen kryesisht veprimeve të maxhorancës, për të arritur trukimin dhe manipulimin e tyre. “Zgjedhjet janë në rrezik, qeveria është duke tentuar për t’i manipuluar, me qëllim deformimin e rezultatit. Shenjat të dukshme janë ato që lidhen me problemet me listat zgjedhore, me emërimet e KQZ-së dhe nga KZAZ-të dhe nga keqpërdorimi i aseteve qeveritare publike. Ftesa për tryezë e PD-së është ftesë hipokrite, pasi këto veprime që ne po denoncojmë e tregojnë më së miri”, ka deklaruar dje Fatmir Xhafa. Më tej, Xhafa ka deklaruar se Ministria e Brendshme është tërësisht e angazhuar në manipulimin e listave të zgjedhësve, duke paralajmëruar dhe abuzimet me prurjet abuzive të zgjedhësve të rretheve të tjera në Tiranë për efekt elektoral. Procesin zgjedhor e kemi vlerësuar seriozisht në të gjitha nivelet vendimmarrëse. Ka qenë një proçes shumë serioz, shumë i përgjegjshëm, lidhur me organizimin e procesit. Përkundër këtij vullneti politik të PS-së, Ministria e Brendshme përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjeve Civile, është duke tentuar të manipulojë listat zgjedhore. Ju mund të jeni në dijeni të faktit se ka pasur shumë prova të dhëna nga ne, në mënyrë publike, por edhe prova që i janë bërë të ditura institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë, mbi një sërë deformimesh që po i bëhen listës zgjedhore”, tha Xhafa. Nga ana tjetër, Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, ka pretenduar se Komisioni Qendror i zgjedhjeve është tërësisht nën urdhrat e Kryeministrit Berisha dhe se ka bllokuar procesin e krijimit të komisioneve zonale, vetëm pas orientimit direkt që kryeministri i ka dhënë kreut të KQZ-së lidhur me këtë çështje. “Komunikimi ynë me KQZ është institucional. Kemi së paku 10 ditë që kemi dërguar në KQZ përfaqësuesit tanë, për t’u emëruar në komisionet zonale. Në kundërshtim të hapur me ligjin dhe procedurat, KQZ-ja nuk i ka futur ende në rendin e ditës. Kryetari i KQZ-së, Ristani, nuk ka mbledhur ende komisionin për të shqyrtuar. Duhet të kuptojmë një gjë, kjo nuk është një e drejtë që na e bën dhuratë Sali Berisha, kjo është një e drejtë kushtetuese, një e drejtë që ja jep ligji PS-së si subjekt zgjedhor. Qeveria, KQZ është duke ia mohuar opozitës këtë të drejtë të rëndësishme. Është personalisht Kryeministri që ka udhëzuar zotin Ristani ta vonojë sa më shumë këtë proces për qëllime politike”, ka pretenduar Xhafa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›