Pezullim për mbrojtësin Arjan Sheta
Humbja 2-1 e fundjavës përballë Shkumbinit ka shkaktuar edhe "viktimën" e parë në radhët e Elbasanit. Drejtuesit e klubit vendosën të pezullonin mbrojtësin Arjan Sheta, protagonisti i autogolit të minutës së 10-të të sfidës, që solli avantazhin 1-0 për peqinasit. Krerët verdheblu e motivuan këtë masë me "mungesën e impenjimit që lojtari tregoi në humbjen e së dielës së kaluar në fushën e Shkumbinit". 27-vjeçari është njoftuar nëpërmjet telefonit, që nuk do të grumbullohet me skuadrën për ndeshjen e fundit të vitit 2008 kundër Besës, por edhe se nuk do të lejohet të marrë pjesë në seancat stërvitore të drejtuara nga Mirel Josa. Ky është pezullimi i dytë sezonal për ish-mbrojtësin e Partizanit dhe Kombëtares, që disa javë më parë u ndëshkua sepse reagoi ndaj provokimeve të tifozëve, duke iu kundërpërgjigjur me gjeste fyese. Ende nuk dihet nëse presidenti Laze dhe bashkëpunëtorët e tij do vendosin ta mbajnë lojtarin në skuadër deri në fund të sezonit, apo do ta largojnë gjatë merkatos së janarit.