E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu Kombëtar, zhvendoset gjenocidi

Pavijoni i gjenocidit nuk ndodhet më në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Fotografitë dhe materialet e tjera janë hequr përkohësisht. Ato janë sistemuar dhe në një kohë të mëvonshme do të vendosen në katin e tretë të muzeut. E gjitha kjo ndodhi për shkak të rikonceptimit të linjave të muzeut, të cilin drejtori aktual, Kasem Biçoku, e kishte lajmëruar që në emërimin e tij në këtë post. Aktualisht, në katin e dytë po punohet për vendosjen e pavijonit të etnografisë dhe arkeologjisë. Për këtë rreth 2000 objekte u shpërngulën nga fondi i Institutit Arkeologjik. Ndërkohë, po punohet për përshtatjen e sallës në katin e tretë, aty ku do të vendoset pavijoni i gjenocidit. Edhe më parë, Biçoku ishte shprehur për një mungesë të linjës muzeale e për këtë është menduar që gjenocidi të vijë pas pavijonit të luftës. Nuk do të ketë asnjë ndryshim në materialin që do të ekspozohet, ndonëse edhe kjo zhvendosje mund të jetë e përkohshme. Pavijoni i gjenocidit u formua në vitin 1996, me idenë e një ekspozite të përkohshme. Si e tillë ka arritur deri në ditët tona, me ndonjë plotësim me materiale të dhuruara ndër vite. Ndërkohë që në intervistën e parë pas emërimit të tij si drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Kasem Biçoku u shpreh për zhvendosjen e tërë pavijonit të gjenocidit nga muzeu, duke i lënë hapësirë etnografisë dhe arkeologjisë. Sipas tij, ishte më e përshtatshme që materialet e pavijonit të gjenocidit të transportoheshin në ndonjë burg që mund të shërbente edhe si muze. Sipas Biçokut, Burgu i Spaçit do të ishte një nga këto godina. Ndërsa specialisti i monumenteve, Emin Riza, mendon se nëse do të mund të ekspozohej diçka në Spaç ajo mund të ishte specifike për historinë e asaj godine. "Për mendimin tim, kjo nuk përjashton ekzistencën e pavijonit të gjenocidit në Muzeun Kombëtar", thekson Riza. Por ndoshta kjo çështje do të duhet të shtrohet në një diskutim të gjerë mes historianëve dhe specialistëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›