FSHF, gati masat për vitin 2009
Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet që të marrë masa për zhvillimin sa më normal të kampionatit në vitin 2009. Në këtë gjysmë të parë të sezonit kanë qenë të shumta klubet elitare dhe ato inferiore, që janë ankuar për gjyqtarët dhe arbitrimet tendencioze, të cilat ndikonin në rezultatet e ndeshjes. Për të evituar polemikat e mëtejshme, shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, ka deklaruar se në të ardhme nuk do të mungojnë sanksionet për "xhaketat e zeza". Në fillim të vitit të ardhshëm pritet të organizohet një takim me të gjithë "bilbilat", për të analizuar situatën dhe paraqitur dënimet për ata që me tendencë favorizojnë një skuadër të caktuar. "Gjykimi i dobët? Ka pasur probleme, por gjithçka e evidentuar është përmendur dhe analizuar", tha Shulku. "Në vitin 2009 do të marrim disa masa: së pari nuk do të lejohet më që presidentët e klubeve të qëndrojnë në stol dhe së dyti do të takohemi me gjyqtarët. Të gjithë ata arbitra problematikë do t‘i kalojmë në kategoritë inferiore".