E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohen dy punonjës policie për dhunën ndaj tifozave

PRISHTINË- Një rreshter dhe një zyrtar policie janë pezulluar nga puna me urdhër të Drejtorit të Përgjitshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi. Lajmi bëhet i ditur na agjencia e lajmeve Radio Evropa e Lirë.

Shkak për shkarkimin e dy punonjësve të policisë janë hetimet e brendshme policore që kanë nisur pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës kundër tifozëve të ekipit basketbollistik të kryeqytetit Plisat, ndërhyrje kjo që ndodhi pas ndeshjes mes Prishtinës dhe ekipit serb, Bambi.

Sipas njoftimeve zyrtare të policisë së Kosovës pezullimi nga detyra është bërë “në bazë të rekomandimeve të dala nga standardet profesionale të policisë së Kosovës dhe vlerësimet e komisionit për përdorim të forces”.

Dy punonjësit ndaj të cilëve është marrë kjo masë janë rreshteri Faruk Cetinaj dhe zyrtari policor Bekim Maliqi. Sipas deklaratave për shtyp të policisë rreshteri Cetinaj është suspenduar për lëshime dhe mos koordinim gjatë menaxhimit të situatës, ndërsa polici Maliqi për tejkalim të autorizimit të përdorimit të sprejit policor.

Radios Evropa e Lirë duke referuar policinë kosovare bën me dije se edhe pesë pjesëtarë të tjerë të policisë së Kosovës, ku përfshihen pjesëtarë shqiptarë, serbë, boshnjak dhe goranë, po hetohen për përdorim të forcës.

Rasti i përleshjes mes forcave policore dhe tifozëve kryeqytetas janë cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe për këtë arsye, si tifozat e Prishtinës edhe pjesëtarët e policisë po hetohen në të njejtën kohë edhe nga Prokuroria e Kosovës.
(e.m/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›