Pezullohen punimet në sheshin “Skënderbej”, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Kulturës i shpallin të paligjshme punimet e bashkisë

Ekzekutohet menjëherë urdhëri i Ministrisë së Mjedisit për të pezulluar punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Përmes një vendimi të firmosur nga Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, urdhërohet pezullimi i menjëhershëm i punimeve në sheshin “Skënderbej” për shkak të mungesës së lejes mjedisore. “Kjo veprimtari në bazë të ligjit për mbrojtejnv e mjedisit duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje mjedisi”, tha zëdhënësi për shtyp në Ministrinë e Mjedisit. Në shkresën e Ministrisë së Mjedisit, thuhet se Bashkia e Tiranës është gjobitur në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra për këtë kundravajtje. Inspektorët e këtij dikasteri do të nisin sot inspektimin në shesh.
Reagon edhe MTKRS, deklaron se po shkelet VKM-ja për shpalljen e sheshit "Skëndërbej" monument kulture
Punimet që po kryhen në sheshin “Skënderbej” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama janë të paligjshme pasi bien në kundërshtim me një vendim qeverie që vetë Rama ka iniciuar kur ai ishte ministër i Kulturës. Deklarata u bë sot pak para mesdite nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj gjatë një konferencë për shtyp, mbi ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Xhaferaj tha se mbështetur VKM Nr.180 dt.13.4.2000 “Për shpalljen ansambël monument-kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”, dhe Ligjit nr.9048 dt.7.4.2003 “Për trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë ka mangësi të theksuara dhe fillimi i punimeve prej saj është në kundërshtim me ligjin. Ministri ka bërë një kronologji të shkurtër të korrespondencës të institucioneve të MTKRS dhe Bashkisë Tiranë në lidhje me këtë çështje si dhe të vendimit të marrë për këtë qëllim. Bashkia Tiranë i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) miratimin e projekt-idesë fituese për rehabilitimin e sheshit Skënderbej (shkresa e Bashkisë Tiranë dt.23.05.2008, nr.5014 prot.) Në mbledhjen e dt.20.11.2008, Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR) i mbledhur pranë MTKRS vendosi kufizime dhe ndryshime në këtë projekt (Vendim Nr.15, dt.20.11.2008, Nr.156 Prot, dt.25.11.2008). Me shkresën Nr.160 Prot., dt.26.11.2008, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, është informuar Bashkia Tiranë në lidhje me kushtet e miratimit të projektit. Ndryshimet e kërkuara janë: Të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave përkatësisht në aksin e Bulevardit Zogu I, dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë. Pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1%. Sakaq, Bashkia Tiranë me shkresën e dt.27.4.2009, Nr.3888 Prot, i kërkon Institutit të Monumenteve njohjen e vendimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Restaurimit të dt.20.11.2008. Me shkresën e tij Nr.68 Prot, dt.8.5.2009, Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka kthyer përgjigje Bashkisë së Tiranës dhe pasi i ridërgon materialin, i kërkon 3 kopje të projektit me ndryshimet e reflektuara. Prej këtij momenti nuk ka asnjë përgjigje nga Bashkia Tiranë. “Konkludoj se përsa kohë, nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga ana e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, projekti që po zbatohet në Sheshin Skënderbej, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është në kundërshtim me procedurat në fuqi”, - deklaroi Xhaferaj. Duke përfunduar ai theksoi se në zbatim të VKM Nr.180, ( që shpall aksin kryesor dhe qendrën historike si ansambël monument kulture ) dhe Ligjit 9048 dt.7.4.2003 “Për trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm.
...